Ndërlidhjet

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme si masë për përballje me koronavirusin.

{Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e kam shpallë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe përballjen dhe evitimin e pasojave nga koronavirusi. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Para skadimit të afatit pres që qeveria të më dorëzojë një plan të detajuar lidhur me efektin e masave që janë ndërmarrë dhe me propozim nëse ka nevojë për vazhdimin edhe për 30 ditë të tjerë apo heqjen e masës”, ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski.

“Marrja e këtij vendimi tregon se sa e ndërlikuar është situata dhe sa është rreziku për të gjithë ne. Nga e mërkura pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca më të mëdha dhe do të mund ti shfrytëzoj të gjitha resurset shtetërore për përballje sa më efikase me epideminë. Qeveria do të mund të merr vendime me fuqi ligjore me qëllim vendosjen e kufizimeve më të mëdha në lëvizjen e njerëzve dhe në veçanti të sigurojë mjete në mbështetje të ekonomisë”, ka theksuar Pendarovski.

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Ai tha se liderët e të gjitha partive i kanë dhënë mbështetje vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria teknike me përfshirjen edhe të opozitës do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen. Presidenti tha se zgjedhjet do të shtyhen deri në krijimin e kushteve për mbajtjen e tyre në kushte normale.

Vendimi i presidentit erdhi pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut kërkoi nga kuvendi dhe presidenti i Republikës shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për t’u përballur në mënyrë sa më efikase me pandeminë e koronavirusit.

Për shkak të pamundësisë së mbledhjes së kuvendit, që tashmë është shpërndarë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas kryeministrit Oliver Spasovski, mund ta bëjë presidenti, Stevo Pendarovski.

“Kërcënimi për përhapjen masive të virusit kërkon masa radikale. Vetëm me gjendje të jashtëzakonshme, qeveria do të mund të përballet me përshkallëzimin e situatës me virusin, të ndihmojë qytetarët, kompanitë dhe shtetin në përgjithësi që të kalojnë këtë gjendje të rëndë”.

“Ne i propozojmë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Kuvendi është i shpërndarë, por ka dispozitën kushtetuese se presidenti i Maqedonisë së Veriut ka autorizime që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në një kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ka mundësi juridike dhe kushtetuese, por vetëm se duhet vullnet i fuqishëm dhe përgjegjësi e madhe që kjo të bëhet menjëherë. Është një nga vendimet më të rënda që do të merret, por është i domosdoshëm për të dalë nga kjo situatë”, ka deklaruar kryeministri në një konferencë të jashtëzakonshme.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe bashkëpunues për dalje nga gjendja e krijuar.

“Asgjë më nuk është e njëjtë, jeta po ndryshon si te ne ashtu edhe në botë. Apeloj që në mënyrë serioze ta marrin gjendjen e krijuar dhe të respektojnë me përpikëri masat e qeverisë. Vetëm kështu mund të përballemi me gjendjen e krijuar. Kemi kapacitete serioze institucionale që të përballemi me të gjitha sfidat për të ruajtur qytetarët dhe shtetin. Do të bëjmë gjithçka për të kthyer sigurinë dhe stabilitetin, si dhe të kthejmë normalitetin në shtet”, ka deklaruar Spasovski.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur për katër raste të reja me koronavirus, që e çojnë në 35 numrin e të infektuarve në nivel të shtetit. Numri më i madh i të infektuarve është në qytetin e Dibrës. Në vetizolim në nivel të Republikës janë 1921 persona, ndërkohë që për institucionet shqetësues është informacioni për rikthimin e azilantëve, 31 prej të cilëve pritet të arrijnë në vend në orët e pasdites.

Paraprakisht qeveria ka bërë të ditur edhe për një sërë masash për të ndihmuar ekonominë, respektivisht bizneset të cilat për shkak po përballet me vështirësi të shumta për shkak të ndërprerjes së aktivitetit si pasojë e krizës pas përhapjes së koronavirusit.

“Masa e parë që kemi paraparë ka të bëjë me ndihmën e drejtpërdrejt financiare për likuiditet të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes bankës për zhvillim të Maqedonisë së Veriut. Janë siguruar gjithsej 5.7 milionë euro si ndihmë për të gjitha bizneset që nuk do të mund të mbulojnë pagat, por edhe shpenzimet tjera. Këto mjete do tu ndahet në kushte shumë të volitshme, pa kamata dhe me një afat më të gjatë të kthimit".

"Janë ndërmarrë edhe masa tjera me qëllim që të gjitha kompanitë të mund të përballen në mënyrë efikase me krizën, e cila fatkeqësisht do të ketë pasoja të rënda ekonomike”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja, Milla Carevska.

XS
SM
MD
LG