Ndërlidhjet

Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoni të Veriut


Shkup, 18 mars, 2020.

Ka shkuar në 70 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, bën të ditur autoritetet, duke shtuar se kryeqendra, Shkupi, është komuna me numrin më të madh të të infektuarve.

Ministri i Shëndetësisë,Venko Filipçe ka thënë se gjendja e personave të prekur me koronavirusin është e qëndrueshme dhe pa shenja të përkeqësimit. Institucionet shëndetësore, ka thënë Venko Filipçe, janë në gjendje të përballen me rritje të numrit të të infektuarve, por kjo betejë siç është shprehur ai, nuk do të mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor.

“Sistemi shëndetësor për momentin po menaxhohet mirë, pacientët me koronavirus po zbulohen në fazën e hershme dhe kjo e bën të mundur menaxhimin sa më efikas të situatës. Për më tepër, duhet të them se kjo nuk është një betejë që mund të luftohet dhe fitohet vetëm nga punonjësit shëndetësorë. Me rëndësi të madhe është roli i qytetarëve, ndërgjegjja dhe vetëdijesimi i tyre se të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për kapërcimin e kësaj krize”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Rreth 2 mijë persona janë në vetizolim, shumica nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë në institucione të ndryshme shtetërore.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar masa të reja të cilat sipas saj kanë për qëllim pengimin e përhapjes së koronavirusit. Masat parashikojnë ndalimin e grumbullimit të më shumë se pesë personave në vende publike, parqe e hapësira tjera të hapura.

Gjithashtu ndalohet lëvizja në malin “Vodno” të Shkupit nga ora 18:00 deri në orën 06:00, ndërsa bankat, farmacitë, postat dhe ndërmarrjet tjera obligohen të organizojnë kontrolle në hyrjet e tyre. Qeveria gjithashtu ke vendosur ndalimin e eksportit të miellit dhe grurit, ndërsa ka përcaktuar edhe çmimet e produkteve ushqimore duhet të mbeten të njëjta si para shfaqjes së koronavirusit.

Paraprakisht qeveri ka vendosur edhe masa për lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit.

“Çdo person që do të largohet nga shteti, pra bëhet fjalë për shtetasit maqedonas, duhet të firmosë një deklaratë se në tre muajt e ardhshëm nuk do të kthehet në vend. Përjashtim nga kjo masë do të ketë vetëm për vozitësit e automjeteve të transportit të mallrave”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, duke shtuar se masa ka për qëllim parandalimin e bartjes së virusit.

Ai ka bërë të ditur se deri të enjten në mesditë në vetizolim janë vendosur rreth 2,300 persona, prej të cilëve 1 mijë janë në Shkup. Ministri i Punëve të Brendshme Çulev është shprehur se për shkeljen e rekomandimeve të qeverisë, për mbylljen e lokaleve apo për të refuzuar kërkesën për vetizolim, janë ngritur 11 padi penale që parashohim dënim deri më tri vjet burg dhe gjoba në para.

Për shkak të përhapjes së koronavirusit, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 18 mars shpalli gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë. Pas këtij vendimi qeveria ka fituar kompetenca më të mëdha për shfrytëzimin e të gjitha resurset shtetërore për përballje sa më efikase me pandeminë.

XS
SM
MD
LG