Ndërlidhjet

Mungesa e kuorumit pamundëson miratimin e ligjit për gjuhën shqipe


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë sërish ka dështuar të miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve. Debati për këtë çështje, apo leximi i parë, ka përfunduar fundin e vitit të kaluar, sikur edhe e drejta e paraqitjes së amendamenteve, por votimi nuk po arrinë të bëhet për shkak të mungesës së kuorumit.

“Komisioni për çështje evropiane si dhe Komisioni juridik-ligjvënës nuk kanë paraqitur propozim plotësues pasi në mbledhjet e tyre nuk janë miratuar amendamente që janë kusht për ndryshime në ligjin e propozuar. Por, meqë është e qartë se nuk kemi kuorum, votimi do të bëhet të enjten”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Për miratimin e këtij ligji, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duhet të votojnë 61 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi. Shumica parlamentare ka pikërisht këtë numër, por për shkak të obligimeve tjera, të gjithë deputetët e shumicës nuk kanë arritur të jenë në seancë.

Ligji nuk ka kaluar pavarësisht pranisë edhe të disa deputetëve të opozitës shqiptare që po ashtu e mbështesin miratimin e tij.

Opozita maqedonase gjithashtu nuk ishte e pranishme ndërsa në një paraqitje para medieve, kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka bërë të ditur se kjo parti me numrin më të madh të deputetëve në shenjë proteste me arrestimin e disa përfaqësuesve të saj, nuk do të merr pjesë në seancat e Kuvendit.

“Për momentin nuk ka ambient demokratik për punë në Kuvend. Kemi 12 për qind e grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së që ndodhet në paraburgim. Kjo paraqet pesë për qind të numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit, të cilët po përballen me skenar të sajuar për veprën e terrorizëmit lidhur me ngjarjet e 27 prillit”, tha Mickovski.

“E gjithë kjo është dëshmi se në Maqedoni kemi ndjekje politike klasike, keqpërdorim të institucioneve për përballje me të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe të cilët nuk frikësohen që zëshëm të kundërshtojnë politikat antishtetërore të udhëhequr nga pushteti i LSDM-së. Andaj grupi parlamentar i VMRO DPMNE vendosi që të mos kthehet në Kuvend deri sa nuk krijohen kushtet për funksionimin normal dhe demokratik të këtij institucioni”, theksoi Mickovski.

Sa i përket ligjit për gjuhët, VMRO-ja edhe më parë ka deklaruar se është kundër zgjidhjes së ofruar duke e quajtur atë, si antikushtetuese.

Me ligjin e propozuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare. Sa i përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Ekspertët thonë se partitë duhet të kenë kujdes që zgjidhja që mund të miratohet, të mos mund që e njëjta të bie në Gjykatën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG