Ndërlidhjet

Për dy muaj, mbi 390 migrantë kanë synuar të kalojnë nëpër Maqedoni


Migrantët në fshatin Idomeni, që gjendet në pikëkalimin kufitar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë

Policia e Maqedonisë ka bërë të ditur se po vazhdojnë përpjekjet e migrantëve nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme, që të kalojnë nëpër territorin e këtij shteti për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar 393 raste të migrantëve, të cilët ilegalisht kanë tentuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë. Gjatë muajit qershor ishin 109 raste, ndërsa gjatë muajit maj, 284 raste.

Sipas statistikave të kësaj Ministrie, 224 migrantë janë kapur përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Greqi, dhe janë kthyer sërish në territorin e Greqisë.

Policia maqedonase gjatë javës së kaluar ka zbuluar dhe trafikimin e tetë migrantëve nga India dhe Pakistani të cilët ilegalisht kanë tentuar ta kalojnë territorin e Maqedonisë.

Në bazë të ndryshimeve që pësoi vitin e kaluar Ligji për azilin, pas mbylljes së Rrugës Ballkanike, migrantët të cilët ilegalisht hyjnë në Maqedoni nga një shtet i cili është pjesë e BE-së apo NATO-s, duhet që të kthehen sërish në të njëjtin shtet me përcjellje të Policisë.

Përderisa në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Shkup, theksohet se migrantët që vijnë në Maqedoni përmes rrugëve ilegale nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në mënyrë jolegale depërtohen nga Maqedonia si shtet.

Uranija Piroska nga Komiteti i Helsinkit në Shkup tha për Radion Evropa e Lirë se rënia e interesimit edhe nga mediat për problemet me migrantët në Maqedoni, u hap rrugë për të vepruar trafikantëve.

Defokusimi i mediave nga problemi me migrantët të cilët ilegalisht hyjnë në Maqedoni, ka bërë që migrantët të bëhen pre e trafikuesve, të cilët për shuma të caktuara i bartin migrantët nga kufiri jugor i shtetit drejt atij verior”, thotë Piroska.

Ndërkaq, Jasmin Rexhepi nga Organizata joqeveritare, LEGIS thotë se ekipet e organizatës që përfaqëson, për çdo ditë regjistrojnë migrantë të cilët, për çdo ditë tentojnë që t’i kalojnë vendkalimet kufitare, të nxitur nga dëshira për të vazhduar udhëtimin e tyre drejtë vendeve të familjes evropiane.

Ne kishim një rast në qershor, kur një grup i migrantëve u paraqit në kampin e Tabanovcit dhe Ministria e Punëve të Brendshme u lejoi atyre që të futen brenda pas reagimit tonë përmes Avokatit të Popullit”.

Migrantët me ditë të tëra të qëndrojnë në male për të gjetur një mundësi që përmes rrugëve sporadike, në momente të caktuara të vazhdojnë udhëtimin drejt destinacionit të caktuar. Kjo i bën ata edhe më shumë që të bëhen pre e keqtrajtimeve nga ana trafikuesve”, thotë Rexhepi.

Sipas të dhënave të Policisë së Maqedonisë, aktualisht në qendrën transitore në Vinojug përgjatë vijës kufitare Maqedoni –Greqi, qëndrojnë 9 migrantë, ndërkohë që në atë të Tabanovës, përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Serbi, qëndrojnë 20 migrantë.

XS
SM
MD
LG