Ndërlidhjet

Migrantët, transit përmes Maqedonisë e Serbisë, që të mbërrijnë në Evropë


Migrantët në pikën kufitare serbo-maqedone
Migrantët në pikën kufitare serbo-maqedone

Nga muaji marsi i këtij viti, në Republikën e Maqedonisë janë regjistruar 25 mijë e 292 migrantë.

Ata kanë hyrë në Maqedoni përmes rrugëve ilegale dhe të njëjtit nga autoritetet maqedonase janë kthyer sërish në Greqi.

Kjo konfirmohet për Radion Evropa e Lirë nga burime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Amelian, një grua 30 vjeçare nga Siria, të cilën e takuam në qendrën e Kryqit të Kuq të Maqedonisë, në fshatin Llojan, vetëm një kilometër larg kufirit me Serbinë, na tregoi se ka më shumë se dy javë që ka udhëtuar në këmbë nga Greqia, duke kaluar territorin e Maqedonisë, për të arritur në Serbi. Prej atje, autoritetet serbe e kanë kthyer sërish në territorin e Maqedonisë.

Bashkëshorti i Amelias dhe dy fëmijët e saj qëndrojnë në Greqi, në pritje për tu hapur rruga drejt vendeve evropiane.

Sandra Tomovska, koordinatore e ekipeve të Kryqit të Kuq të Maqedonisë në fshatin Llojan të Kumanovës, thotë se edhe pas mbylljes së Rrugës Ballkanike, për çdo ditë ka lëvizje të migrantëve nga Maqedonia drejt Serbisë.

“Pothuajse nuk kalon asnjë ditë që ekipet e Kryqit të Kuq, të cilat veprojnë përgjatë vijës kufitare Maqedoni -Serbi, nuk takojnë ndonjë grup të migrantëve të cilët kërkojnë ndihmë. Ne jemi stacionuar në fshatin Llojan dhe aty u ofrojmë ushqim, veshmbathje dhe ndihmë mjekësore, veçanërisht fëmijëve të cilët zakonisht janë me pneumoni dhe të lodhur nga moti i lig”, ka thënë Tomovska.

Sipas saj, ka ditë që janë 2 ose 3 migrantë që ia mësyjnë kësaj rruge, por ka edhe ditë që shënojnë ardhjen e dhjetëra migrantëve nga të gjitha anët, por të cilët fshihen në malin i cili ndodhet mbi fshatin Llojan, apo disa të tjerë mbi fshatin Vaksincë.

“Një pjesë e tyre, pasi kthehen nga Serbia, presin momentin që ata të kalojnë sërish ilegalisht kufirin drejt Serbisë”, thotë Sandra Tomovska.

Përderisa Ebu Isa, një djalosh 16 vjeçar nga Algjeria, nuk dëshiron të tregojë se kush e ka ndihmuar atë që tashmë tri herë të hyjë në territorin e Serbisë, prej ku autoritetet serbe e kanë kthyer në territorin e Maqedonisë.

Isa thotë se në Serbi ka hyrë përmes shtigjeve malore, bashkë me kushërinjtë e tij.

“Shihni, kam plagë në dorë, në këmbë nga goditja me shufra gome nga ana e policisë kufitare serbe. Ata na dëbuan me dhunë nga territori i Serbisë... por, unë me çdo kusht synoj të arrij në Belgjikë, sepse atje e kam familjen”, thotë Ebu Isa.

Ndërkaq, Muhamed Abdul Vehab, migrant, rrëfen se si për13 ditë të plota ka udhëtuar në këmbë nga Gjevgjelia në kufirin me Greqinë, deri në Tabanoc, kufirin me Serbinë.

Përgjatë rrugës, përpos motit të ligë këtyre ditëve dhe kalimit të natës nën qiell të hapur, ai thotë se është ndeshur dhe me një grup kriminelësh të cilët kishin dashur ta plaçkitin.

“Në hyrje të qytetit të Shkupit, unë me shokët e mi u ndeshëm me një grup kriminelësh, të cilët tentuan të na plaçkitin. Rrugëtimi ynë është shumë i vështirë, por ne nuk heqim dorë”, thotë Muhamed.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se nga marsi deri në muajin nëntor të vitit 2016, policia maqedonase ka zbuluar 69 raste të trafikimit të 1,484 migrantëve.

Organet e drejtësisë, me këtë rast, kanë ngritur procedurë hetimore për 57 persona të arrestuar, të cilët ngarkohen për veprën penale “trafikim me migrantë”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG