Ndërlidhjet

Tensione të "rregullta" në Kuvendin e Maqedonisë


Marko Zvërlevski në Kuvendin e Maqedonisë
Marko Zvërlevski në Kuvendin e Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë i rikthehet procedurës për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, Marko Zvërlevski, por seanca ka filluar me përplasje të ashpra mes opozitës dhe kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili kishte ftuar sigurimin të largojë nga foltorja deputetin Antonio Milloshoski, meqë pa lejen e Xhaferit, ai kishte tentuar ta merrte fjalën.

Me këtë rast, i gjithë grupi parlamentar ka dalë në foltore për të pamundësuar largimin e Milloshoskit nga ana e sigurimit. Incidenti është evituar me ndërprerjen për 10 minuta të seancës nga ana e kryeparlamentarit. Nisma është ndërmarrë nga Qeveria me arsyetimin se kreu i organit të akuzës ka punuar në mënyrë joligjore dhe joprofesionale, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në punën e gjyqësorit për qëllime politike dhe të grupeve të caktuara të interesit.

Por, procedura po kontestohet nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila edhe e kishte emëruar Zvërlevskin në postin e prokurorit të përgjithshëm. Nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit thonë se nisma për largimin e tij nga detyra është për motive politike, por gjithashtu edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi dispozitat e tij, sipas VMRO-së nuk lejojnë shkarkime dhe emërime të funksionarëve pas ditës së shpallës së zgjedhjeve, siç është rasti me zgjedhjet lokale, që janë dekretuar të dielën nga kreu i Kuvendit.

"Kodi zgjedhor i Maqedonisë rregullon qartë periudhën që nga shpallja e zgjedhjeve e deri në momentin e mbajtjes së tyre. Në kodin zgjedhor ekziston neni 8a, në të cilin thuhet se që nga dita e shpalljes së vendimin për zgjedhje e deri në mbajtjen e tyre, nuk mundet që të nisin procedura për punësim të personave apo për shkarkimin e tyre në institucione shtetërore apo publike. Të gjitha procedurat e nisura sipas ligjit pezullohen deri në mbajtjen e zgjedhjeve, vetëm në rastet urgjente apo që nuk mundet të prolongohen”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO-DPEMNE.

VMRO-ja i është drejtuar komisionit antikorrupsion për të dalë me sqarime nëse veprimi i partive në pushtet është në kundërshtim me ligjin.

Por nga LSDM-ja thonë se qëllimi i VMRO-së nuk është që të mbrojë ligjin, të cilin,sipas partisë së kryeministrit Zoran Zaev, VMRO-ja e ka shkelur në 11 vitet e qeverisjes me vendin. Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov thotë se VMRO-ja me këto pengesa tenton të mbrojë krimin që ka prekur të gjitha institucionet, e më së shumti atë gjyqësor.

"Kodi zgjedhor ka të bëjë me organet e pushtetit ekzekutiv dhe jo me Kuvendin dhe organet ligjvënëse. Çdo kërkesë e tillë, që do ta quaja nebuloze, nuk është asgjë tjetër përveç se përpjekje e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së për zvarritjen e procedurës për shkarkimin e Zërlevskit apo ikje nga vjeshta e nxehtë e cila i pret për krimin e organizuar para organeve gjyqësore”, thotë Shilegov.

Prokurori aktual, Marko Zvërlevski është një nga personalitetet më të përfolura që nga emërimi i tij në këtë post, e në veçanti gjatë krizës së rëndë politike.

Ai ishte një nga protagonistët kryesor të aferës së përgjimeve, pasi në bisedat e publikuara nga opozita, në shumë raste është dëgjuara duke biseduar me zyrtarë të lartë në kurdisjen e proceseve gjyqësore apo në emërimin e njerëzve partiakë në pozita drejtuese në gjyqësor. Me kërkesë të tij janë ndërprerë apo nuk kanë nisur procedura hetimore për disa raste të denoncuar nga opozita e atëhershme.

Gjyqësori është një nga pikat të kritikuara andaj edhe kërkesa kryesore e Bashkimit Evropian është për reforma rrënjësore në këtë sferë.

XS
SM
MD
LG