Ndërlidhjet

Maqedoni: Çdo i pesti person nuk ka ushqim të mjaftueshëm


Pamje nga Shkupi, foto arkiv
Pamje nga Shkupi, foto arkiv

“Të gjithë të ngopur” quhet ueb-platforma elektronike përmes së cilës 14 organizata joqeveritare kanë ngritur një sistem për dhurimin dhe shpërndarjen e ushqimit.

Kjo iniciativë, e bazuar në praktikat e vendeve të zhvilluara, do të nisë fillimisht në Shkup, ku do u shërbehen ushqime të ngrohta dy herë në ditë për rreth një mijë persona në nevojë.

“Mbi 450,000 qytetarë në Maqedoni nuk arrijnë të sigurojnë tri vakte të ngrënies. Ndërkohë, tonelata ushqim hedhin restorantet dhe rrjetet e ndryshme të marketeve. Andaj është e nevojshme që të ngrihet vetëdija e të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë për të ushqyer të gjithë ata që ditën e kalojnë me stomak të uritur dhe jo ushqimi të përfundojë në deponi”, ka thënë Bllazhe Josifovski nga organizata joqeveritare “Ajde Makedeonija“ (Eja Maqedoni).

Ai ka thënë se synohet krijimi i një rrjeti funksional mes restoranteve të shumtë, dhe zinxhirëve të marketeve që të sigurohet ushqim për personat në nevojë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jess Baily tha se edhe vendi i tij përballet me problemin e sigurimit të ushqimit për çdo familje, veçanërisht për kategoritë e ndjeshme.

“Ky program paraqet një shembull të mirëfilltë se si kompanitë e mëdha që si veprimtari kanë industrinë ushqimore, organizatat joqeveritare po edhe Qeveria në bashkëveprim mund të zgjidhin probleme të mëdha, siç është mungesa e ushqimit për shumë familje”, tha ambasadori amerikan.

Hulumtimet e organizatave joqeveritare kanë nxjerrë në pah se brenda vitit mbi 5 mijë tonë ushqim përfundon në mbeturina, sasi kjo me të cilën do të mund të ushqeheshin për çdo ditë deri në 16 mijë familje.

Në bazë të hulumtimeve të realizuara më së shumti ushqim hedhin marketet, prodhimet e të cilëve janë me afat të shkurtër të kohëzgjatjes, restorantet, furrat e bukës dhe amvisëritë.

Shumica e bizneseve thonë se duan ta dhurojnë ushqimin por nuk e dinë ku ta bëjnë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG