Ndërlidhjet

Diaspora ndihmon në zbutje të varfërisë e zhvillim ekonomik në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Familjet që janë me punë të përkohshme jashtë Maqedonisë, gjatë pushimeve të verës në vendlindje, shpenzojnë mbi 4 mijë euro, pa llogaritur shpenzimet marramendëse për përgatitjet për ndonjë gëzim familjar, sikurse dasma, ose renovimin ose ndërtimin e shtëpive ku kalojnë vetëm pushimet.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se autoritetet shtetërore duhet t’i hapin rrugë zhvillimit të bizneseve që ata realizojnë në vendet perëndimore edhe në vendlindje, duke u mundësuar mërgimtarëve, para së gjithash, të risin kapitalin e tyre, të ndihmojnë familjarët me hapjen e vendeve të reja të punës, por gjithsesi këto mjete, nëse kanalizohen në vendin e duhur, mund të paraqesin një shtyllë shumë e rëndësishme për mëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

“Detyrimisht mërgimtarët duhet parë si potenciali kryesor, madje i jashtëzakonshëm, për investime të reja, sepse tani mërgimtarët përfaqësohen nga gjenerata e dytë, madje dhe nga gjeneratae tretë, të cilët jetojnë në mërgim, ku ushtrojnë funksione dhe menaxhojnë biznese mjaft të suksesshme në vendet e Evropës, dhe potenciali i tyre mund të shfrytëzohet jashtëzakonisht shumë”.

“Por, për të investuar këtu duhet t’u garantohet siguri përkapitalin e tyre. Për fat të keq, në aspektin institucional, nuk ka mbështetje të dukshme për kapitalin e mërgimtarëve”, thekson për Radion Evropa e Lirë Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike.

Bekim Alimi i takon gjeneratës së dytë si mërgimtarë. Duke qenë se punon në Zvicër, ai ka incizuar disa nisma me kryetaren e komunës së Tetovës për zhvillimin e turizmit në fshatrat malore.

Ai na shpjegon se gjatë vizitës me përfaqësuesit e qytetit të Vilit të Zvicrës ka vizituar disa fshatra të Malësisë së Tetovës.

“Jetojmë në një botë globale, dhe njerëzit në forma të ndryshme krijojnë lidhje me çdo cep të botës...në këtë situatë, pse ne të mos e shfrytëzojmë këtë lidhje me vendlindjen tonë?! Me vendin që e njohim më së miri. Pse të gjitha ato përparësi që ofrohen në vendet ku jetojmë të mos krijohen kushte edhe për vendlindjen, ku investitorë të ndryshëm të futin në kanalet e investimeve edhe vendlindjen”.

“Në të njëjtën kohë, me krijimin e lidhjeve të biznesit, zviceranëve u krijohet një pasqyrë edhe më e qartë për migrantët të cilët i kanë si fqinj, në punë e në shkolla…përmes lidhjeve të biznesit krijohet dhe një lidhje më e fuqishme e njohjes...ata gjatë qëndrimit në fshatrat e Malësisë së Tetovës mbetën të mahnitur me kapacitetet që ofrojnë këto vendbanime, edhepse jetojnë në varfëri të skajshme”, thotë Bekim Alimi, duke mbetur me shpresë se projektet e iniciuara së shpejti do ë fillojnë të jetësohen në praktikë.

Ndërkaq, autoritet shtetërore të Maqedonisë në disa raste kanë theksuar se Maqedonia është e hapur për investitorët e huaj, përfshirë edhe kapitalin e mërgimtarëve , pa përcaktuar benifite të veçanta për kapitalin që vjen nga qytetarët e Maqedonisë me punë të përkohshme në vendet e Evropës dhe më larg.

Marjan Petreski, nga Kolegji amerikan në Shkup, bën të ditur se mjetet që sjellin mërgimtarët, qoftë gjatë pushimeve të verës ose në formë të remitencave për të ndihmuar familjarët e tyre për gjatë gjithë vitit, në bazë të një hulumtimi të realizuar nga institucioni që ai përfaqëson, ndikojnë në masë të madhe në uljen e varfërisë.

“Nëse nuk do të ishin mjetet që vijnë nga diaspora në Maqedoni për familjarët e tyre, në atë rast varfëria në nivel shtetëror do të ishte më lartë për tre përqind."

"Mjetet që vijnë në formë të remitencave në Maqedoni nga mërgimtarët kryesisht shfrytëzohen për gjërat elementare dhe fare pak ose aspak këto mjete nuk destinohen përinvestime kapitale”, thekson Marjan Petreski, ekspert i ekonomisë.

Ndryshe, kapitali që sjellin mërgimtarët në Maqedoni është mbi 1.5 miliardë euro në vit, që përbën 20 përqindëshin e Bruto Prodhimit Vendorë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG