Ndërlidhjet

BDI-ja dhe LSDM-ja shpallin fitoren


Simpatizantë të LSDM-së, zgjedhjet lokale 2017.
Simpatizantë të LSDM-së, zgjedhjet lokale 2017.

Partitë politike të parat e shpallin rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli, siç tha, fitore në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare.

Jam këtu për të konfirmuar lajmin e fitores së madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, në Çair, në Dibër, në Saraj, në Likovë, në Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili ka garuar në komunën e Strugës, për humbjen e tij e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptar.

“Në rast se kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër-kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se Ramiz Merko dhe BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, tha Sela.

Aleanca për Shqiptarëtnë koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, atë të Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.

Gostivari u çlirua nga një diktator. Koalicioni ka fituar edhe në Vrapcisht, Bogovinë dhe Zhelinë. Në të gjitha komunat ku kemi humbur, dallimi në vota është shumë i vogël - kjo tregon se shqiptarët u zgjuan”, theksoi Arben Taravari, i cili shpallifitoren e tij në komunën e Gostivarit duke paralajmëruar mbajtjen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së shpejti.

Ndërkohë, Social-Demokratët e kryeministrit Zoran Zaev, kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit.

“Zgjedhjet ishin kristal të pastra”, deklaroi Zaev, duke kërkuar nga VMRO DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor:

“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. Bëj thirrje deri tek udhëheqësia e VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kurse, lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, zgjedhjet vendore i quajti të falsifikuara.

“Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, derisa policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje e votave. Janë shpërndarë edhe artikuj ushqimorë”, u shpreh Gruevski, duke kërkuar formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Gruevski tha se nuk e njeh rezultatin zgjedhor.

Me rezultatet e para zyrtare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të dalë në mesnatë.

Mbyllen vendvotimet për balotazhin në Maqedoni

Në Maqedoni ka përfunduar procesi i votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat rreth 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore kanë zgjedhur 35 kryetarët e rinj të komunave.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 17:00, të drejtën e votës në rrethin e dytë për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 43.83 për qind e votuesve.

Pjesëmarrja më e lartë nga 35 komunat ku u zhvillua balotazhi, është regjistruar në Demir Kapi, me rreth 76 për qind, ndërsa më e ulëta në komunën Shuto Orizare të Shkupit ku në votime kanë dalë 31 për qind e votuesve.

Sipas KSHZ-së, procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë kryesisht të qetë dhe demokratike, me përjashtim të disa problemeve teknike, të cilat, siç thuhet, janë evituar me kohë duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit zgjedhor.

Maqedoni: Rrethi i dytë i zgjedhjeve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Edhe autoritetet e rendit kanë pohuar se procesi zgjedhor në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë, pa probleme serioze, që mund ta prishin rendin publik.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se në komunën e Shuto Orizares në Shkup, policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë.

"Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në teren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Sipas tij, MPB-ja ka regjistruar edhe tri raste të fotografimit të fletës së votimit në vendvotimet në Shuto Orizare, Cërnice dhe Probishtip.

Organizata joqeveritare “CIVIL”, në një paraqitje për mediet ka denoncuar parregullsi në një zonë të Shkupit ku, siç thuhet, janë regjistruar raste të votimit familjar, një person për më shumë veta, pastaj raste të fotografimit si dhe disa shkelje më të vogla.

Gjatë paradites, asociacioni qytetar “MOST” që kishte numrin më të madh të vëzhguesve, kishte njoftuar për proces të rregullt zgjedhor.

Pritjet e qytetarëve nga zgjedhjet lokale

Qytetarët, të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën votës në komunat e Shkupit nga kryetarët e komunave presin që të angazhohen për zgjidhjen e problemeve infrastrukturore, ndalimin e ndërtimit të objekteve pa leje, më shumë hapësira të gjelbëruara, etj.

“Po gjithsesi presim të ketë ndryshime, të angazhohen më shumë në punë. Të jenë më aktivë për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohen qytetarët, sepse qytetarët kanë nevojë të zgjidhen problemet infrastrukturore. Pra, të krijojnë një komunë ku do të ketë rend dhe gjërat do të funksionojnë në rregull”, tha Faruk Bislimi nga komuna e Çairit të Shkupit.

“Po shpresoj të bëhet mirë për të rinjtë, të ketë punë për ta, e mos na ikin jashtë vendit”, tha Nazmije Mehmeti.

“Po uroj të kalojnë qetë zgjedhjet, kush të fitojë e pret shumë punë”, u shpreh Dragan Stojanovski, nga komuna e Butelit.

“Po pres përmirësim të situatës në të ardhmen. Ka shumë nevojë të investohet për ngritjen e cilësisë së arsimit në komunën tonë. Shumë fëmijë mësojnë në një klasë të vetme si rrjedhojë e mungesës së klasave”, theksoi Veton Asani, nga komuna e Çairit të Shkupit.

“Më pengon ky kaos urbanistik, shpresoj që kryetari i ri komunës ta ndalë këtë katrahurë urbanistike”, tha Daniella Ristevska nga komuna e Gazi Babës së Shkupit.

“Po jam i kënaqur se procesi zgjedhorë realizohet qetë dhe pa probleme. Kjo është me shumë rëndësi. Ka shumë gjëra që janë përmirësuar në komunën tonë, po ka edhe disa gjëra që duhet të përmirësohen, siç është zgjidhja e problemit me kanalizimin”, tha Abdulla Bunjaku nga komuna e Çairit.

“E shihni, jetojmë rrëzë Malit Vodno dhe ballafaqohemi me ajrin e ndotur. Shpresoj që kryetari i ri i komunës të marrë masa që të këtë më shumë gjelbërim”, u shpreh Damjan Angellov nga Komuna e Kisella Vodës.

Për dallim nga rreth i parë i zgjedhjeve më 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe Qytetin e Shkupit, tani është votuar vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Në këtë rreth garuan 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Gara kryesore u zhvillua kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në rrethin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave.

Rrethin e dytë të zgjedhjeve e monitoruan 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj, ndërsa procesi është mbikëqyrur edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, me 35 vëzhgues. Vëzhgues pati edhe nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.

Maqedonia ka gjithsej 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal me 10 komuna urbane në përbërje të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG