Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut do të strehojë përkohësisht 450 afganë


Qindra persona të mbledhur në aeroportin e Kabulit duke pritur që të largohen nga shteti.
Qindra persona të mbledhur në aeroportin e Kabulit duke pritur që të largohen nga shteti.

Maqedonia e Veriut do të pranojë 450 afganë që janë duke ikur nga talibanët dhe do t’i strehojë ata derisa të kompletohet procesi i aplikimit për viza speciale amerikane.

Këta persona janë punëtorë dhe anëtarë të familjeve të afganëve, të cilët kanë punuar në misionet humanitare dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizata për të drejta të njeriut, gazetarë, përkthyes dhe studentë, ka thënë Qeveria maqedonase përmes një deklarate më 17 gusht.

Shkupi ka thënë se do të pranojë edhe afganë “të cilët kanë mbështetur trupat e NATO-s në 20 vjetët e fundit, përfshirë ushtrinë e Maqedoninë e Veriut”, e cila ka kontribuar me ushtarë te forcat e koalicionit - të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara - në Afganistan në periudhën 2002-2008.

Aktualisht në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit janë duke u zhvilluar një mori operacionesh të transferimit të personave që janë tejet të frikësuar nga regjimi i talibavëne.

Shumica e tyre kanë punuar bashkë me amerikanët apo me shtete tjera të NATO-s, si përkthyes apo në role tjera, gjatë luftës gati 20-vjeçare.

Shumica e 450 afganëve që do të nisen drejt Maqedonisë së Veriut pritet të arrijnë në këtë shtet në fund të javës, varësisht nga kushtet në aeroportin e Kabulit, është thënë në deklaratë.

Ministri i Jashtëm në Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se nënshtrimi në masën e karantinës do të varet nga statusi i vaksinimit të këtyre personave kundër koronavirusit.

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Kosova e Shqipëria kanë shprehur gatishmëri për të mirëpritur afganët që janë duke ikur nga shteti i tyre.

Autoritetet në të dyja vendet kanë konfirmuar se kanë diskutuar me autoritetet amerikane për strehimin e tyre, ndonëse ende nuk dihet saktë sa persona do të strehojnë ato.

Grupi i parë i afganëve pritet të arrijë të mërkurën në Shqipëri.

Autoritetet kanë konfirmuar se ata do të strehohen në Tiranë dhe Durrës.

Shqipëria gati për të pritur afganët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

"Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre", ka thënë presidenti Biden.

Sipas tij interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka qenë gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan ka thënë se Qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i Qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

XS
SM
MD
LG