Ndërlidhjet

Shkupi me masa për t’u mbrojtur nga pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se gjendja e sigurisë është stabile, por shtojnë se vendi po përballet me sfida ekonomike pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se po ndjek me vëmendjen situatën në Ukrainë. Nga ekzekutivi njoftuan se kanë krijuar mekanizma për të vepruar në interes të mbrojtjes së ekonomisë së vendit dhe gjendjes financiare të qytetarëve për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike në raport me gjendjen që e shkaktoi pushtimi rus.

“Rezervat shtetërore disponojnë sasi të mjaftueshme të produkteve ushqimore, ndërkohë që nuk ka kufizime sa i përket ofertës së grurit si produkt strategjik. Ministritë kompetente bëjnë konsultime për furnizimin me sasi plotësuese të rezervave shtetërore”, thanë nga Qeveria maqedonase.

Nga ekzekutivi po ashtu thanë se këtë vit kanë ndarë 85 milionë euro nga buxheti i shtetit për të reduktuar pasojat e krizës energjetike me të cilën po përballet vendi, duke shtuar se likuiditeti buxhetor është i sigurt, megjithëse efektet që po ndodhin në tregjet evropiane janë të ndjeshme.

“Ne do t'i përgjigjemi në kohën e duhur kësaj sfide të fundit në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta që do të jenë të qëndrueshme për ekonominë tonë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, në një kolumnë të publikuar të dielën në mediat vendore, tha se ekspozimi i drejtpërdrejtë i Maqedonisë së Veriut ndaj ekonomisë ruse dhe ukrainase është relativisht i vogël.

“Importet dhe eksportet në secilën prej tyre [në shtetin e Ukrainës dhe Rusisë] gravitojnë rreth 1 për qind nga këmbimi i përgjithshëm tregtar”, tha Besimi.

Ai po ashtu përmendi faktin që Rusia është importuesja më e madhe e gazit natyror në Maqedoninë e Veriut me 96.5 për qind të importeve të gazit.

“Në rast të një përshkallëzimi më të madh të konfliktit ushtarak në Ukrainë, do të jetë e nevojshme të kërkohen tregje alternative për eksportin e këtyre produkteve dhe për furnizimin me gaz natyror dhe mund të pritet një mungesë e këtij produkti, gjë që do të çonte për një rritje të çmimit të të njëjtit”, ka shkruar Besimi.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve ekonomike mendojnë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut është e varur nga tregu evropian, prandaj çdo goditje që do t’u shkaktohet shteteve të BE-së nga lufta në Ukrainë, do të reflektohet edhe në vend.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Petar Goshev, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut është shtet i vogël me ekonomi të hapur, dhe si i tillë është i ekspozuar ndaj çdo ndryshimi të shteteve evropiane. Madje, sipas tij, Shkupi nuk ka as kapacitete minimale që të sanojë dëmet që mund të shkaktohen si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Si rrjedhojë e planifikimit të keq për vite me radhë, përkatësisht mungesës së planifikimit elementar strategjik për t’u përballur me gjendjet e krizës, pas krizës ekonomike të pandemisë dhe tani me masa plotësuese nga goditja e luftës në Ukrainë që imponoi Rusia, goditjet do të mund të amortizohen përmes politikës elementare. Por, kapacitetet për një lehtësim afagjatë do të varen nga ajo se shteti paraprakisht ka ruajtur kondicionin që të veprojë në kushte krize, në rastin tonë kjo do të çojë në marrjen e huave dhe do të rrisë edhe më shumë borxhin publik”, tha Goshev.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur një sërë masash ekonomike, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në mesin e masave është edhe largimi i disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT. Ky sanksion pritet të vështirësojë pagesat për gazin natyror rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG