Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë së V. miraton deklaratën për Ukrainën


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të enjten një deklaratë më të cilën dënohen sulmet ushtarake ruse kundër Ukrainës.

Për deklaratën votuan 100 deputetë, kurse tre ishin kundër; dy deputetët e partisë “E Majta” dhe një deputet i Partisë Demokratike Serbe.

Deklarata ishte propozuar nga Partia Liberal-Demokrate, Ripërtëritja Demokratike dhe deputetet, Monika Zajkova dhe Maja Moraçanin.

Deputetja Zajkova, e veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, tha se “çmimi i luftërave gjatë historisë po paguhet nga njerëz të pafajshëm”.

“Kuvendi, si institucioni më i lartë në një demokraci parlamentare, nuk duhet të qëndrojë i heshtur ndaj zhvillimeve dhe duhet të dënojë urgjentisht agresionin ushtarak që po ndodh në zemër të Evropës dhe të shprehë një angazhim të qartë për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Në diplomaci ka një rregull që çdo heshtje është pëlqim apo miratim, ndaj nuk guxojmë të heshtim”, tha Zajkova.

“Asnjë lot apo traumë e fëmijës nuk do të falet. Lufta gjithmonë sjell vetëm shkatërrim dhe vdekje. Edhe motivet më mirënjohëse, të mbuluara me gjak, janë thjesht ambicie hipokrite, të padenja për botën e qytetëruar”, tha deputetja, Maja Moraçanin.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski tha se dënon sulmin rus ndaj Ukrainës.

“E drejta e Ukrainës që të zhvillojë politikën e saj të jashtme është parim që duhet të respektohet, por kjo duhet të vlejë edhe në rastin e Maqedonisë (së Veriut) që ka kontest me Bullgarisë. Pra, edhe liderët tanë shtetërorë duhet të punojnë që edhe ne të kemi politikën tonë të jashtme, pa ndikime nga shtetet tjera”, ka deklaruar Milloshoski.

Deputeti i Partisë Demokratike Serbe, Ivan Stoilkoviq deklaratën e quajti “hipokrizi të politikanëve”.

Ai tha se beson se në këtë situatë duhet të jetë i qetë, i përmbajtur dhe i kujdesshëm, pasi siç tha ai, “disa gjëra nuk harrohen kurrë”.

Maqedonia e Veriut u është bashkuar edhe sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke ndërprerë të gjitha fluturimet nga Moska ndërsa janë ndërmarrë edhe masa tjera për bllokimin e transaksioneve financiare të kompanive dhe afaristëve rusë.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë si “kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG