Ndërlidhjet

Qeveria s’heq dorë nga mësimi online, nxënësit kërcënojnë me bojkot


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ende nuk ka përgjigje lidhur me kërkesën e Unionit të Shkollave të Mesme për kthimin e nxënësve në shkolla më 1 tetor, të cilët paralajmëruan se në të kundërtën do të bojkotojnë mësimin online.

Nga Ministria kanë bërë të ditur se “të gjitha shkollat po përgatiten për të filluar vitin shkollor më 1 tetor. Me prani fizike do të nisin nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën. Të gjitha shkollat e tjera, të cilat nuk do t'i plotësojnë kushtet e parapara sipas protokolleve, mësimin do ta realizojnë nëpërmjet një platforme të vetme online ndërsa vlerësimi apo notimi do të bëhet me prani fizike”.

Nga 987 shkolla fillore dhe 132 të mesme sa ka gjithsej në Maqedoninë e Veriut, deri tani 34 shkolla të mesme dhe 79 fillore kanë paraqitur kërkesën për kthimin në shkolla.

Por, nga Unioni i Shkollave të Mesme janë të vendosur se mësim me prani fizike duhet të ketë për të gjithë nxënësit, ashtu siç po veprohet në shumë shtete të rajonit dhe Evropës.

“Ne disa herë kemi thënë në opinion se në rast se kërkesat dhe propozimi ynë nuk pranohen, ne do të detyrohemi të shkojmë me hapat e fundit demokratik, si protestat, që edhe i mbajtën dhe hapi tjetër bojkoti i vitit shkollor nga 1 tetori”, ka deklaruar Bledin Hodai, kryetar i Unionit të Shkollave të Mesme.

Ai hedh poshtë pohimet se gjoja Unioni kërkon kthim të plotë të nxënësve në shkolla me çka do të rrezikonin shëndetin e nxënësve. Kërkesa jonë kryesore, siç thotë Hodai, ka të bëjë me mësim të kombinuar pasi mësimi online është vlerësuar i dështuar.

“Unioni i Shkollave të Mesme në asnjë mënyrë nuk ka propozuar mësim me prezencë fizike ashtu siç ka qenë më parë, por kemi propozuar një model tjetër, shumë më të sigurt i cili jo vetëm nga ne, por edhe nga epidemiologët që kemi konsultuar është cilësuar si model më i sigurt për ndjekjen e mësimit".

"Pra, kemi propozuar model të kombinuar, të krijohen dy grupe, njëri të ndjek mësimin me prani fizike në shkollë dhe tjetri të jetë online dhe këto grupe të bëjnë rrotacion për një periudhë të caktuar kohore”, thekson Bledin Hodai, drejtues i Unionit të Shkollave të Mesme.

Nga Forumi Rinor Arsimor, thonë se institucionet kanë dështuar në përgatitjen e terrenit për nisjen e vitit shkollor ndërsa theksojnë nevojën që të paktën për drejtimet profesionale të shkollave të mesme si dhe për nxënësit me nevoja të posaçme të sigurohet prani fizike në shkolla.

“Fakti se kemi shtyrje për një muaj të vitit të ri shkollor tregon se ndoshta nuk ishin sa duhet të përgatitur për nisjen e mësimit në shtator. Institucionet kishin mjaft kohë të përgatiten. Mësimi u ndërpre në mars ndërsa nga qershori kishin edhe përfundimin e vitit shkollor dhe disa muaj kohë apo gjithsej rreth shtatë muaj në dispozicion që të përgatiten por siç po duhet shumë pak është bërë që të gjendet zgjidhje më të mira për mësim. Mësimin me prani fizike asgjë nuk e zëvendëson, por të paktën kjo t'i mundësohet atyre që ndjekin mësimin në drejtimet profesionale dhe atyre me nevoja të posaçme”, thotë Stefani Spirovska, drejtuese e Forumit Rinor Arsimor.

Për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe me qëllim të shmangies së pasojave, shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur më 10 mars ndërsa viti shkollor u mbyll me mësim online që hasi në kritika të shumta për shkak të mangësive dhe pengesave të shumta që e përcollën procesin mësimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG