Ndërlidhjet

Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë e Veriut, dalja e votuesve mbi 40 përqind


Janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi arritjen e pragut zgjedhor prej 40 për qind, i nevojshëm për suksesin e zgjedhjeve. Në votime deri në orën 18.30 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 44.5 për qind e zgjedhësve, por kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë.

Kryetari i KSHZ-se, Oliver Derkoski tha se zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe demokratike. Dalja më e lartë ka qenë në zonat e banuara me popullatë maqedonase ndërsa më e ulët në komunat e banuara me shqiptarë.

Nga Misioni i OSBE-së që po mbikëqyr procesin e votimit thanë se shpresojnë se do të arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind dhe se do të zgjidhet presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut.

Zgjedhjet për president në Maqedoninë e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Edhe ushtruesja e detyrës së ambasadores amerikane në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm, ka porositur që qytetarët të votojnë të lirë dhe pa presione.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjedhjet dhe votimet janë pjesë qendrore e demokracisë, janë shumë të rëndësishme. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot po marrin një vendim shumë të rëndësishëm dhe është e rëndësishme që votuesit të votojnë të lirë, pa presione. Është kënaqësia ime të jem pjesë e këtij vëzhgimi”, ka deklaruar diplomatja amerikan e cila ka vëzhguar procesin zgjedhor në Tetovë dhe në disa zona të Shkupit.

Zgjedhjet sipas KSHZ-së po zhvillohen në atmoferë të rregullt pa incidente që mund të prishin procesin votues.

Por, partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE është ankuar për një varg parregullsish.

“Pushteti është duke keqpërdorur policinë për qëllime politike. Bëhet presion i paligjshëm nga ana e organeve të policisë ndaj pjesëtareve të VMRO DPMNE-së .

"Në pjesën lindore të shtetit pa asnjë arsye janë arrestuar dy vëzhgues të VMRO DOMNE-së", ka theksuar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Num Stoillkovski.

Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milion persona të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime. Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.

Kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev, i cili drejton njëherësh dhe Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, ka theksuar se sot më e rëndësishmja është që të arrihet cenzusi dhe Maqedonia e Veriut të fitojë presidentin e ri të shtetit, njëherësh ka theksuar se nga votimi i sotëm do të varet se kah do të orientohet shteti.

“Unë besoj se me një dinamikë të përshpejtuar do të vazhdojmë të ecim krahë për krahë me botën perëndimore. Shpresoj që zgjedhjet e sotme të jenë të suksesshme dhe do të ecim përpara ashtu siç na ka hije”, ka theksuar Zaev.

Zaev ka ftuar qyetarët të dalin në votime duke bërë një hap kualitativ për të ardhmen e shtetit.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, pasi ka votuar për zgjedhjen e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se ditën e sotme e ka cilësuar si akt solemn edhe kundrejt shumë parregullsive që janë shënuar në teren.

“Siç duket karakteri i pushtet-mbajtësve të Zoran Zaevit nuk rri qetë. Ata duan që përmes rrugës së dhunës të zgjedhet presidenti i ri i shtetit. Kemi disa raste në Maqedoninë Lindore për të cilat VMRO DPMNE-ja do ta njoftojë përmes konferencave për shtyp opinionin për parregullsitë e shënuara", shtoi ai.

Ndërkaq, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti, procesin e sotëm zgjedhor e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut me ç`rast u ka bërë thirrje qytetareve që sa më masovisht të dalin për të votuar.

“Është një moment shumë i rëndësishëm që vendi ynë të jap një porosi për rajonin, por në veçanti për komunitetin ndërkombëtar se është një shoqëri e pjekur e përgatitur për procese të rëndësishme", tha Ahmeti.

Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do ta ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa Qeveria nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhja e presidentit të ri të kalojë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në rrethin e parë, më 21 prill, në votime kanë dalë 41.67 për qind ndërsa Steve Pendarovski ka fituar me një epërsi të ngushtë prej rreth 4200 vota, respektivisht 322.58 vota apo 42,81 për qind të votave ndërsa kundërkandiatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova 318.341 vota apo 42,25 për qind.

Në garë ishte edhe një kandidat shqiptar, Blerim Reka, që kishte fituar rreth 80 mijë vota. Pikërisht votat e tij, konsiderohen si vendimtare si për arritjen e pragut zgjedhor po ashtu edhe për fitoren e ndonjërit nga kandidatët maqedonas, të cilët edhe fushatën në rrethin e dytë e kanë përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptar.

Retorika e tyre ishte më e matur kundrejt shqiptarëve, në veçanti ajo e kandidates opozitare, Gordana Siljanovska e cila në vazhdimësi deklaronte se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.

Por, Stevo Pendarovski që ka mbështetjen e BDI-së dhe të disa partive tjera shqiptare në qeveri, thoshte se Siljanovska tregohet e matur vetëm se për tërheqjen e votave të shqiptarëve pasi ajo sipas kandidatit të partive në pushtet, ka dëshmuar se është për shtet etnocentrik.

Partitë në pushtet në vazhdimësi kanë bërë thirrje për dalje në votime për të vërtetuar siç kanë thënë kursin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Thirrje për dalje në votime kanë bërë edhe drejtuesit e VMRO DPMNE-së, për të dënuar sic kanë thënë politikat e gabuara të qeverisë aktuale dhe vendosjen e drejtësisë në vend.

Sikur në rrethin e parë, edhe këtë të diele, zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, kurse 400 janë të huaj.

Rezultatet e zgjedhjeve do të nisin të publikohen në sistemin elektronik në faqen zyrtare të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga vendvotimet.

XS
SM
MD
LG