Ndërlidhjet

Maqedonia larg eliminimit të dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore


Pamje nga Shkupi

Maqedonia nuk po arrinë të fitojë betejën për eliminimin e tregtisë me qenie njerëzore, ndonëse gjatë vitit të fundit vërehen përpjekje të dukshme për ta çrrënjosur këtë dukuri, thuhet në raportin më të ri të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në raport janë përfshirë 187 shtete, në të cilat janë vlerësuar përpjekjet e qeverive në të gjithë botën për të luftuar trafikimin me njerëz.

Në raport theksohet se Qeveria e Maqedonisë së fundmi ka intensifikuar përpjekjet për eliminimin e tregtisë me njerëz, duke përfshirë këtu trajnimin e personave që janë përgjegjës për identifikimin e viktimave që janë pre e trafikimit, si dhe përforcimin e bashkëpunimit të institucioneve përkatëse të pushtetit qendror me pushtetin vendor etj.

“Megjithatë, Qeveria e Maqedonisë nuk i plotëson as standardet minimale në disa lëmi që janë të rëndësishme për eliminimin e trafikimit me njerëz. Qeveria e Maqedonisë ka identifikuar 6 persona, viktima të trafikimit, si dhe në një rast është dënuar një person që ka bërë trafikimin”, theksohet në raportin e DASH-it për vitin 2018.

Korrupsioni që ka ndërlidhje me autoritetet e Qeverisë, i ka hapur rrugë trafikimit me qenie njerëzore, theksohet në raportin në fjalë.

Në këtë raport, si vërejtje janë apostrofuar dhe dënimet minimale për ata që trafikojnë qenie njerëzore, ndërkaq si shumë problematike është theksuar dhe zvogëlimi i mjeteve financiare për viktimat që janë pre e trafikimit.

Ekspertët e sigurisë thonë se raporti i DASH-it paraqet një udhërrëfyes shumë të qartë se ku janë defektet e sistemit për të eliminuar këtë dukuri.

Tërpe Stojanovski nga Universiteti i Shkupit konsideron se duhet investuar më shumë në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve që janë përgjegjëse për ta luftuar këtë dukuri të shëmtuar, ndërkaq, shton ai, me rëndësi ë veçantë është mbështetja e organizatave joqeveritare si partner shumë i rëndësishëm .

“Raporti i administratës amerikane në formë reale ka detektuar të gjitha pikat nevralgjike që e bëjnë sistemin jofunksional, sa i përket luftës ndaj trafikimit me njerëz. Njëherësh krijohet një pasqyrë e qartë se çka është dashur të bëhet dhe nuk është bërë, si dhe çka është duke u bërë në këtë drejtim, por jo mjaftueshëm. Prandaj, mendoj se ky raport mund të paraqesë një udhërrëfyes ideal para së gjithash për Qeverinë se ku duhet të orientojë angazhimin e saj për të pasur sukses çrrënjosja e kësaj dukurie, përkatësisht eliminimi i plotë i trafikimit me njerëz”, thotë Stojanovski.

Organizatat joqeveritare thonë se me rëndësi të veçantë është që shteti të ndajë më shumë mjete për rehabilitimin e viktimave që kanë qenë pre e trafikimit me njerëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG