Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut: Data e negociatave me BE-në, e varur nga sundimi i ligjit


Fotografi ilustruese

Ambasadori i Francës në Shkup, Kristian Timonie, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thekson mbështetjen e shtetit që ai përfaqëson, për Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimit evropian.

R​aporti i Komisionit Evropian, thotë ambasadori Timonie, do të japë një pasqyrë të detajuar sa i përket përparimit të reformave, që Brukseli i ka vënë si detyrë Maqedonisë së Veriut në raport me hapjen e negociatave me BE-në,veçanërisht kjo pasqyrë do të jetë e fokusuar në sferat që kanë të bëjnë me sundimin e drejtësisë.

“Ne ju mbështesim në përpjekjet tuaja dhe duam që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së. Edhe në Samitin e Berlinit presidenti Macron e shpalli Strategjinë e vet për riinvestim të Francës në Ballkan dhe me këtë tregojmë që jo vetëm nuk e kundërshtojmë, por me të gjitha vendet e këtij rajoni duam të punojmë në integrimin evropian të rajonit, mirëpo kjo do të ndodhë kur do të vijë koha”, deklaron Timonie.

Ambasadori thotë se Franca mbështet fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por se kur do t’i bashkëngjitet Ballkani Perëndimor, nuk e ka përmendur me saktësi për shkak sfidave, me të cilat, siç thotë ai, përballet aktualisht BE-ja.

“E patë që ne nuk e dimë se sa deputetë do të kemi në Parlament dhe mendoj që nuk duhet të nënçmohen vështirësitë e mëdha që do të jenë të pashmangshme për ridefinimin e Bashkimit Evropian për shkak të BREXIT-it, por edhe për shkak të marrëdhënieve komplekse të vendeve brenda Bashkimit Evropian me vendet nga Evropa Lindore dhe qendrore në pikëpamje të shtetit juridik. Dhe, me tërë këtë, ngrihet çështja tek opinioni publik në lidhje me momentin dhe shpejtësinë e zgjerimit. Vetë ne jemi në një gjendje parazgjedhore dhe do të duhet të kërkojmë nga qytetarët tanë ta konfirmojnë ose jo ndërtimin e përgjithshëm të BE-së”, thotë Timonie.

Por, Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politika Evropiane thotë se detyrë e autoriteteve maqedonase është të lobojnë te vendet anëtare të BE-së, të cilat janë më skeptike, duke ua dëshmuar me argumente, se pse Maqedonia e Veriut meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Mendoj se me jetësimin e Marrëveshjes së Prespës, me miratimin e ligjeve në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, Qeveria ka arritur suksese solide për t’u prezantuar para vendeve anëtare të BE-së. Maqedonia e Veriut, si asnjëherë më parë, nuk ka qenë më pranë caktimit të datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE”, thotë Kacarska.

Ajo shton se hapësira kohore për t’u vlerësuar Maqedonia në qershor është e ngushtë, megjithatë kjo, sipas saj, nuk duhet ta dekurajojë Maqedoninë e Veriut për të përshpejtuar dinamikën e realizimit të reformave.

“Nga ana jonë duhet të angazhohemi për realizimin e të gjitha reformave të parashtruara si detyrë nga Brukseli, sepse së fundmi ato janë në të mirë të vetë qytetarëve pavarësisht se kur do të hapen dyert e unionit për ne, si shtet”, shton Kacarska.

Ndërkohë, ambasadori Timonie thekson se aktorët e rëndësishëm politik në Maqedoninë Veriut, nevojitet që një ditë e më parë të arrijnë ujdi për definimin e statusit të Prokurorisë Speciale që paraqet një çelës shumë të rëndësishëm sa i përket përfarimit të vendit me Bashkimin Evropian, duke porositur se, taktizimi, siç shprehet ai, “nuk i sjell dobi askujt”

“Prokuroria Speciale Publike është institucion që duhet ta gjejë vendin e vet në rendin juridik të këtij vendi. Prokuroria Speciale u themelua në periudhën e krizës; por edhe për kërkesat strukturore për luftë kundër korrupsionit, ajo është instrument i rëndësishëm. Ekziston edhe trashëgimi nga e kaluara, e kaluara e lidhur me kriza, për këtë shkak tani duhet të arrihet konsensusi midis partive të mëdha politike, konsensus në emër të interesit nacional. Ka përparim, të cilin e vërejtëm, dhe do të isha gëzuar po qe se përparimi vërehet edhe prej të tjerëve”, thekson ambasadori Timonie.

Por, edhe pas takimit të së premtes që ka realizuar ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska me opozitën maqedonase, ka nxjerrë në pah dallimet e thella rreth ligjit që duhet të definojë statusin e Prokurorisë Speciale Publike.

XS
SM
MD
LG