Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron popullsinë në shtator


Zyrtarët duke bërë regjistrimin e popullsisë, në fshatin Vizbegovo afër Shkupit.

Maqedonia e Veriut është e vendosur që në shtator ta bëjë regjistrimin e popullsisë, 20 vjet pas regjistrimit të fundit, të realizuar në vitin 2002.

Regjistrimi do të realizohet pavarësisht rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19. Ai duhej të mbahej në prill, por pikërisht për shkak të pandemisë ishte shtyrë për në shtator. Operacioni statistikor pritet të realizohet nga 5 deri më 30 shtator, por Enti Shtetëror i Statistikës, ka bërë të ditur për mosinteresimin e duhur të regjistruesve në terren.

Edhe dy javë deri në fillimin e regjistrimit, ka nevojë edhe për rreth 700 regjistrues.

Interesimi nuk është në nivel, thotë zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami, përkundër faktit se një regjistrues për angazhimin 20-ditor do të paguhet me rreth 730 euro. Në regjistrim, do të përfshihen përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike.

“Problem kemi në përfshirjen e të gjitha entiteteve, por mosinteresimi është evident te maqedonasit dhe shqiptarët. Numri i përgjithshëm i regjistruesve është 5,550 ndërsa deri tani janë paraqitur diku 4,850 persona. Ne regjistrimin mund ta realizojmë edhe me këtë numër të regjistruesve, por që të jemi më komod në realizimin e këtij procesi, ne insistojmë në plotësimin e numrit të planifikuar, me qëllim që regjistruesit në terren të mos punojnë nën presionin e kohës apo të detyrës së shtuar e kështu me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave.

Ai shton se të gjithë regjistruesit do të punojnë në terren, bazuar në protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga pandemia, kështu që përjashton çdo mundësi që kësaj radhe të shtyhet regjistrimi.

“Unë mendoj se janë shterur të gjitha arsyet e mosmbajtjes së regjistrimit, apo për shtyrje të regjistrimit dhe duke marrë këto parasysh dhe ligjin që tashmë është në fuqi, do të thotë çdo arsye, çdo shkas apo shkak nga ndonjë subjekt politik apo qoftë ai shoqëror, më nuk mban. Regjistrimi do të fillojë më 5 shtator. Deri te nisja e këtij operacioni kanë mbetur edhe disa ditë dhe shpresojmë se me sukses do të përfundojë më 30 shtator. Besojmë se pas 20 vjetësh do të kemi një regjistrimi të suksesshëm”, ka deklaruar Selami.

Se regjistrimi nuk do të shtyhet e thotë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Ai beson se procesi do të mbështetet edhe nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, me kërkesë të së cilës regjistrimi ishte shtyrë për në shtator.

“Ne nuk duhet të mendojmë për shtyrjen e regjistrimit, është obligimi ynë që duhet ta bëjnë. Në këtë proces janë të përfshirë të gjithë, edhe opozita me kërkesat e saj që tashmë janë pjesë e ligjit. Le të bëjmë një regjistrim, sepse është një operacion statistikor që është thelbësor për të gjitha planet dhe sfidat tona ekonomike që kemi para nesh. Dhe së fundi, pas 20 vjetësh, të bëjmë operacionin statistikor”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Nga VMRO DPMNE-ja nuk kanë dalë me vlerësime mbi regjistrimin, ndërsa kundër është shprehur partia tjetër opozitare “E Majta”. Ajo pretendon se regjistrimi do të manipulohet për të nxjerrë, siç ka thënë, “të dhëna joreale mbi përbërjen etnike të popullsisë”, duke pretenduar në numër të më ulët të shqiptarëve se 25.17 për qind, sa janë bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2002.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet. Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe, edhe pse nuk përmendet si e tillë. Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG