Ndërlidhjet

Marrëveshja përfundimtare, problem i Evropës apo SHBA-së?


Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

Për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetja dhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore, thonë në Presidencën e Kosovës.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit të Presidentit këshilltar politik, tha për Radion Evropa e Lirë se, Bashkimi Evropian ka qenë dhe mbetet ndërmjetësues i dialogut të Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shton se Kosova gjithashtu është falënderuese ndaj SHBA-së, “mbështetja e së cilës është vitale dhe e pazëvendësueshme për përparimin e bërë gjatë tërë këtyre viteve”.

“Në përfundim të procesit, ne konsiderojmë se mbështetja dhe pjesëmarrja e SHBA-së është e rëndësishme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Letra e presidentit Trump është edhe një provë dhe nxitje e mbështetjes amerikane dhe e përkushtimit ndaj këtij procesi ", thotë Çolaku.

Në letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjera shpreh gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes "që do të respektojë interesat e Kosovës dhe Serbisë".

“Letra e presidentit Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit. Letra është zëri i Amerikës, është mbështetja e plotë dhe unike e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin, prandaj nëse deri më tash dikush ka pasur hezitime për rolin e SHBA-së, kjo dëshmon qartë dhe me fakte se SHBA-ja është e involvuar në proces”, deklaroi presidenti Thaçi, të mërkurën pas takimit që pati së bashku me udhëheqësit tjerë të Ballkanit Perëndimor, me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini në Bruksel.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vlerësoi pozitivisht letrën të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por megjithatë tha se nuk ndan të gjitha pikëpamjet me presidentin amerikan.

Sipas Vuçiqit, letra e Trumpit dëshmon se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për zgjidhjen e kompromisit.

“Ajo që ai thotë se ne jemi në fazën përfundimtare, unë me këtë nuk mund të pajtohem, dhe unë mundoj se nuk jemi afër zgjidhjes, por mua më duket se kjo tregon interesimin e SHBA-së për të arritur një zgjidhje. A është kjo e mundur dhe a është realiste, unë nuk mendoj se është e lehtë dhe aq e thjeshtë”, tha Vuçiq.

Presidenti Trump në fund të letrës thotë se do të mirëpresë Thaçin dhe Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë për të festuar “marrëveshjen historike”.

Këtë e komentoi edhe diplomati gjerman,dhe përfaqësues i BE-së në bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2007, Wofgang Ishinger.

“Trumpi të zgjidhë një konflikt evropian dhe të festojë në Shtëpinë e Bardhë? Kam frikë se ende nuk kemi arritur aty. Por, përderisa të vijë deri te zgjidhja, a mundemi ju lutem të festojmë në Evropë, dhe jo sërish, sikurse në vitet ‘90 në Uashington”, ka shkruar Ishinger.

Vlerësimet e analistëve

Megjithatë, analistët thonë se pa praninë e fortë të Shteteve të Bashkuara në rajon, nuk është e mundur të zgjidhet asnjë nga çështjet madhore.

Veprimi i presidentit Trump duke dërguar letër në lidhje me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, duhet të shihet në një kontekst më të gjerë ose më saktë, në dritën e tërheqjes së forcave amerikane nga Siria për çka është rënë dakord me Rusinë, thotë Zijad Beqiroviq, nga Instituti për Lindje të Mesme dhe Studime Ballkanike në Lubjanë.

Letra që e dërgoi Trumpi është gjithashtu një hap i ndërmarrë së bashku me autoritetet ruse, vlerëson Beqiroviq duke theksuar se ekziston një linjë e politikës që e mban Trumpi karshi Kosovës dhe një tjetër që e mbajnë institucionet tjera amerikane.

I pyetur nëse po përsëriten skenarët e viteve ‘90, ai thotë:

“Ngjashmëri sigurisht se ka, por ekziston një moment tjetër dhe kjo është mbijetesa politike e Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, të cilët po tentojnë që çështja të mos zgjidhet dhe kjo të vijë përsëri edhe në mandatin ri të Komisionit Evropian, institucioneve të reja evropiane, dhe sërish të kthehet nga fillimi”.

“Megjithatë, pa praninë e fortë të Shteteve të Bashkuara në rajon, dhe kjo është një praktikë e njohur tashmë, thjesht nuk është e mundur të zgjidhet ndonjë çështje e rëndësishme. Në fund të fundit çfarë do të thotë SHBA-ja për vetë Evropën, është treguar në vetë Evropën e pasluftës së Dytë Botërore. Në një mënyrë ata kanë qenë sponsorizuesit për krijimin e një Bashkimi Evropian çfarë është sot”.

Analisti nga Kosova, Ramush Tahiri, kujton gjithashtu se SHBA-ja është e përfshirë në politikën botërore që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se parimi i vetëvendosjes është promovuar nga presidenti amerikan Woodrow Wilson.

Si faktor kyç në politikën botërore gjatë dekadave, si dhe në vitet 1990 në Ballkan, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë këtë rol, duke përfshirë edhe procesin aktual të Brukselit, shton Tahiri.

“Deri në një zgjidhje përfundimtare duket se nuk mund të arrihet pa Shtetet e Bashkuara, dhe në veçanti delegacioni i Kosovës nuk shkon në këto bisedime pa konsultime është përgatitje me misionin amerikan, qoftë ai në Evropë apo në Kosovë ose drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit”, thotë Tahiri.

*Video nga arkivi: Bolton: Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh

Bolton: Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në procesin negociator e përkrahë edhe Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, i cili në postimin e diplomatit gjerman Ishinger, ka shkruar:

“Përderisa kjo është vetëm pyetje evropiane, serbëve dhe shqiptarëve do t’iu duhen 1000 vjet të presin që BE-ja të arrijë deri te konsensusi për jetët tona dhe ardhmërinë tonë. Tingëllon keq, apo jo?”, ka shkruar Simiq.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
  • 16x9 Image

    Amra Zejneli-Loxha

    Ka lindur në Mitrovicë në vitin 1986. Studimet universitare i ka përfunduar në fushën e gazetarisë dhe të studimeve evropiane në Universitetin e Floridas në SHBA. Me gazetari ka nisur të merret nga viti 2001. Punon në transmetuesin publik – Radio Televizionin e Kosovës – si redaktore përgjegjëse në programin e gjuhëve të komuniteteve, ndërkaq Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG