Ndërlidhjet

Trump i shkruan Vuçiqit për marrëveshjen me Kosovën


Presidenti Donald Trump
Presidenti Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është “afër dorës”.

Në letrën e dërguar më 14 dhjetor, të cilën sot e ka publikuar Zyra e presidentit të Serbisë, Trump ka theksuar se i gëzohet rastit që t’i presë në Shtëpinë e Bardhë presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për ta festuar “marrëveshjen historike”.

“Marrë parasysh se po hyni në fazën përmbyllëse të arritjes së marrëveshjes me Kosovën, e cila do të sjellë paqen e dëshiruar afatgjate në rajon, ju inkurajoj që ta shfrytëzoni këtë moment dhe të përdorni liderizmin politik për sjelljen e vendimeve që do të kënaqnin interesat e të dy vendeve. Do të ishte dëm i madh që të lëshohet ky rast unik për paqen, sigurinë dhe rritjen e ekonomike”, ka thënë Trump.

Presidenti Trump ka theksuar se SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes për normalizim dhe ka vlerësuar që “marrëdhëniet paqësore dhe produktive ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ishin pikë kthese për rajonin”.

“Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është afër dorës. I gëzohem rastit që juve dhe presidentin Hashim Thaçi t’iu mirëpres në Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë që të festojmë atë që do të paraqiste marrëveshjen historike”, ka thënë Trump.

Presidenti i SHBA-së në letër ka theksuar që kishte kënaqësinë që janë takuar në Paris gjatë Ditës së armëpushimit.

“SHBA-ja vlerëson liderizmin e juaj, veçanërisht në sigurimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shtuar Trump.

XS
SM
MD
LG