Ndërlidhjet

Një vit nga Marrëveshja e Prespës


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras

Një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, për autoritetet qeveritare në Maqedoninë e Veriut, ky dokument cilësohet si marrëveshja më e rëndësishme në historinë e vendit, përkatësisht si dokument që ka hapur rrugën e perspektivës euroatlantike.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i cili ka marrë pjesë në një stërvitje ushtarake, tha se përfitimet nga Marrëveshja e Prespës janë evidente.

“Sot, 17 qershori, një vit nga Prespa, fillimisht fituam një mik të ri. Jo që me Greqinë kemi pasur ndonjë armiqësi serioze, por vërtetë ndjenja ishte e keqe, e shëmtuar, ndërkohë që kishim ngecur në proceset integruese. Ja, pas një viti, përfitimet e para i shohim të përfshira edhe në këtë trajnim, në përgatitjen tonë, për anëtarësim të plotë në NATO".

"Ky është një qëllim i madh strategjik i vendit tonë, i gjithë rajonit, i Maqedonisë së Veriut e cila jo para disa shekujsh, por para 17-18 vitesh kishte konflikt. Kjo nënkupton paqe afatgjate, stabilitet dhe siguri,”ka thënë Zaev.

Marrëveshjen e Prespës e kanë përshëndetur përmes rrjetave sociale dhe dy nënshkruesit e saj Nikolla Dimitrov de Nikos Kotzias.

Edhe pas një viti, për opozitën maqedonase VMRO DPMNE, marrëveshja e Prespës mbetet e dëmshme për interesat e shtetit.

“Një vit pas nënshkrimit të asaj marrëveshje kapitulluese me pranimin e kushteve greke ndaj Republikës së Maqedonisë kemi përsëri një vend i cili nuk mori datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, kemi popull të nënçmuar, kemi tradita të fshira, emër dhe mbiemër të fshirë, kemi shtet të shpërfytyruar, institucione të shpërfytyruara dhe popull i cili dëshiron sa më shpejtë të ikë nga ky shtet që udhëhiqet nga Zoran Zaevi”, ka thënë për mediat zëdhënësi i VMRO DPME-së, Naum Stoillkovski.

Edhe njohësit e çështjeve politike janë të ndarë rreth asaj se çka i solli marrëveshja e Prespës Maqedonisë së Veriut si shtet.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut si shtet brenda një viti me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës ka arritur të përcaktojë një të ardhme të qartë sa i përket perspektivës euroatlantike.

“Maqedonia e Veriut brenda një viti pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës ka fituar konsolidimin e saj si shtet ndaj partnerëve tonë ndërkombëtarë, por njëherësh ka fituar shumë në drejtim të përcaktimit të një të ardhme të qartë sa i përket integrimit të vendit, duke marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe tani pret që brenda vitit të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE”, thotë Musliu.

Por, kështu nuk mendon Rist Nikovski, ish ambasador i, cili ishte dhe këshilltar i ish presidentit Gjorgje Ivanov që në vazhdimësi e ka kundërshtuar marrëveshjen e Prespës.

“Edhe nga ky dimension kohor prej një viti e kemi edhe më të qartë se bëhet fjalë për një marrëveshje e cila e vendosi palën maqedonase para kapitullimit klasik, me c`rast ajo dha gjithçka dhe nuk fitoi asgjë".

"Marrëveshja u arrit në shpejtësi duke dëmtuar rëndë interesat e palës maqedonase vetëm e vetëm për të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në, gjë e cila e shohim se nuk ndodhi dhe nuk do të ndodh edhe për një kohë të gjatë”, thotë Nikovski.

Por, Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, për Radion Evropa e Lirë thotë se marrëveshja e Prespës jo vetëm që i dha fund konfliktit për cështjen e emrit mes dy vendeve fqinje Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por fqinjin jugor nga një bllokues në procesin e integrimeve evropiane e shëndërroi në një aleat të fuqishëm që i hap rrugë këtij procesi".

“Mund të sublimojmë se Marrëveshja e Prespës arriti të hap dyert e NATO-s për vendin, krijoi një dinamikë krejtësisht të re në planin pozitiv në raport me Greqinë, me ç`rast në Komisionin Evropian dhe në më shumë organizata ndërkombëtarë ne si shtet fituam një aleat të fuqishëm në vend të një kundërshtari siç ishte para nënshkrimit të marrëveshjes Greqia si shtet”, thotë Kacarska.

Një vit më parë u nënshkrua Marrëveshja e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke mbyllur kontestin e më shumë se dy dekadave mes dy vendeve fqinje për çështjen e emrit me ç`rast shteti u emërua Maqedonia e Veriut.

XS
SM
MD
LG