“Ka persona që kanë gënjyer nën betim”
Avokati i Veselit vazhdon pretendimet kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
"Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën", ka deklaruar Dixon.
Fjalët drejtuar gjykatësve
Avokati i Veselit vazhdon t’i konsiderojë pretendimet e Prokurorisë si “përpjekje të kota” dhe po i bën thirrje trupit gjykues që të ndajë faktin nga shpikjet.
“Aktgjykimi juaj do të ketë vend në histori dhe nuk do të harrohet. Pavarësisht sa është përpjekur Prokuroria t’ju bindë që ta shpallni fajtor zotin Veseli, ne e kundërshtojmë këtë me parimin ligjor dhe shtetin ligjor, që është në qendër të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Kur nuk ka prova, apo kur provat janë të dobëta, nuk mund të ketë shpallje fajësie”.
Kritika ndaj Prokurorisë
Sikurse edhe një ditë më parë, mbrojtja e Veselit pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Kadri Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.
Avokati Dixon ka kaluar më pas te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, por edhe aty i ka pasur dy fjalë për pretendimet e Prokurorisë.
“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit ë Specializuar”.
Katër të akuzuarit në Hagë janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.