Ndërlidhjet

Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Çfarë u tha në ditën e katërt të deklaratave përmbyllëse në Hagë?

• Më 12 shkurt u zhvillua dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Veselit tha se ai është tërësisht i pafajshëm dhe nëse dënohet do të ishte një padrejtësi e madhe. Ndërkaq, mbrojtja e Selimit argumentoi se nuk ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe të akuzuarit nuk ishin pjesë e një ndërmarrjeje të tillë që synonte marrjen nën kontroll të Kosovës dhe luftimin e kundërshtarëve.

• Mbrojtja e Thaçit më herët ka përmbyllur deklaratën përfundimtare, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

09:47

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Sot nis dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Një ditë më parë fjalën e ka pasur mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçit.

Më herët gjatë javës deklaratat e fundit i kanë shpalosur edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave.

Përmes këtij blogu do t’ua sjellim deklaratat më të rëndësishme.

Faleminderit që jeni me ne!

09:53

Dixon vazhdon fjalën përmbyllëse

Kadri Veselin e përfaqëson avokati Rodney Dixon.

Ai i ka nisur deklaratat e para përmbyllëse dje dhe i vazhdon sot deri në orën 13:00.

Rodney Dixon
Rodney Dixon
09:56

Kadri Veseli është në sallën e gjyqit

10:12

Kritika ndaj Prokurorisë

Sikurse edhe një ditë më parë, mbrojtja e Veselit pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Kadri Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.

Avokati Dixon ka kaluar më pas te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, por edhe aty i ka pasur dy fjalë për pretendimet e Prokurorisë.

“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit ë Specializuar”.

Katër të akuzuarit në Hagë janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG