Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ditës së dytë të deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë në rastin kundër ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në ditën e dytë, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.
Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite.
Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Nesër në mëngjes, ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë fjalën përmbyllëse.
Faleminderit që na ndoqët!
Laws: Fakti që anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, s’e bën atë organizatë kriminale
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Në fjalën e tij para Gjykatës, Laws tha se ka pasur “përpjekje cinike” për të fshehur krimet e pretenduara.
“Janë dy të vërteta: UÇK mund të ketë luftuar një luftë çlirimtare dhe pjesa dërmuese e luftëtarëve të saj e ka bërë këtë. Por, është e vërtetë edhe tjera që anëtarë të UÇK të kenë kryer krime”, tha ai në përmbyllje të seancës.
Mbrojtja e Thaçit do të nisë nesër fjalën e saj përmbyllëse.
Laws flet për përjetimet e familjarëve të viktimave
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacione se të afërmit e tyre nuk jetonin më.
“Mungesa e informacioneve u jepte atyre shpresë”, tha ai.
Ai, duke cituar disa dëshmitarë, tregoi për përjetimet e familjarëve të viktimave. Laws përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij.
“Kjo ka qenë një torturë e vërtetë”, kishte dëshmuar ajo.
Laws po ashtu foli për vrasjet, që pretendoi se janë kryer nga UÇK-ja. Mbrojtësi i viktimave tha se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja është dashur të ndërmarrë hapa për hetimin, ndjekjen penale të tyre”, tha Laws.
Disa nga viktimat, pretendoi Laws, kanë heshtur për humbjen e të afërmve të tyre nga frika se e njëjta gjë mund t’iu ndodhë atyre.
Rinis seanca
Në Hagë ka rinisur seanca. Gjykatësi pyeti mbrojtësin e viktimave edhe sa kohë i duhen për fjalën e tij dhe ai tha deri në 30 minuta. Ekipi mbrojtës i Thaçit ndërkaq tha se dëshiron që nesër të mbajë fjalën e saj përmbyllëse.