“Dëmi psikologjik ua ndryshoi jetën”
Mbrojtësi i viktimave foli për dëmet e shkaktuara të viktimave. Sipas tij, dhimbjet fizike u tejkaluan, por “dëmi psikologjik ua ndryshoi jetën”.
Laws tha se shumë nga viktimat u trajtuan për vite të tëra për shkak të pasojave, e disa të tjerë vazhdojnë të trajtohen.
“Disa nuk e kujtojnë përvojën, por e përjetojnë përsëri. Ndjenjë të njëjtën erë, të njëjtën dhimbje fizike dhe kjo e bën shumë shqetësuese nga pikëpamja emocionale”, tha ai.
Ai foli edhe për viktimat e tërthorta, që janë ata që kanë pasur familjarë që kanë qenë në shënjestër të ndalimit. Laws përmendi disa viktima që kishin rrëfyer për kujtimet e tyre kur kishin parë të afërmit e tyre që ishin ndaluar dhe ishin keqtrajtuar.
Duke folur për viktimat që janë vrarë, ai tha se në këtë proces, 20 viktima janë anëtarë familjesh të personave që janë zhdukur dhe për këtë ka ngritur akuza Prokuroria. Gjashtëdhjetë e gjashtë të tjerë kanë pasur të dashurit të burgosur, që s'janë parë më kurrë dhe përfundimisht janë zhdukur. Por, për ta, tha Laws, nuk është ngritur akuzë.
Gjykata aktualisht është në pushim dhe pas saj, mbrojtësi i viktimave do të vazhdojë fjalën e tij.
Mbrojtësi i viktimave për akuzën e bashkëpunimit dhe trajtimit të të ndaluarve
Gjatë fjalëve përmbyllëse, Simon Laws foli edhe për viktimat shqiptare që tha se u etiketuan si bashkëpunëtorë dhe që sipas tij, sot e kësaj dite ata e vuajnë dëmin e këtij etiketimi, por edhe trajtimin e të ndaluarve.
“Nga këndvështrimi i viktimave, politika e paraburgosjes së bashkëpunëtorëve që nga fillimi ka pasur një mangësi: Si e dini kush është bashkëpunëtor, si përcaktohet kjo në mungesë të një procesi ligjor? Nuk janë bërë përpjekje për të përcaktuar se kush është bashkëpunëtor. Njerëzit janë rrëmbyer mbi bazën e thashethemeve. Është e vështirë të besosh që dikush mund të humbasë lirinë dhe më pas jetën mbi një bazë të tillë. Ky rrjet i kampeve të UÇK-së drejtohej mbi bazën e prezumimit të fajësisë. Personat ndaloheshin për arsye absurde”, tha ai.
Sipas mbrojtësit të viktimave, për shkak të dyshimeve për bashkëpunim, UÇK-ja kreu një valë arrestimesh.
“Rrallë herë është dhënë bazë për akuzën dhe rrallë u është dhënë rasti që të përgjigjeshin”, tha ai, duke shtuar se ka pasur raste që kur viktimat kanë mohuar akuzat, ata sërish janë keqtrajtuar.
Ai tha se viktimat, jo vetëm shqiptare, iu nënshtruan “mizorive të jashtëzakonshme nga ushtarë të UÇK-së”, dhe ndaj tyre janë përdorur shkopinj, tuba hekuri e gjësende të tjera. Shumë janë rrahur, pretendoi ai, deri sa kanë humbur ndjenjat. Disa, sipas mbrojtësit të viktimave, janë rrahur me ditë me radhë.
“Disa prej tyre preferonin të vdisnin që të merrnin fund vuajtjet”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave: Duam që zëri i viktimave të dëgjohet
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se dëshiron që në vendimin e trupit gjykues për katërshen e UÇK-së, zëri i viktimave të dëgjohet.
“Kjo aktakuzë nuk është përshkrim i thatë ligjor i akteve kriminale, por bëhet fjalë për vende, kohë kur njerëzit kanë pësuar dëme të mëdha, që kanë ndryshuar ata dhe familjet e tyre. Duke pranuar që ka ndodhur ky dëm, një trup gjykues është në gjendje të thotë se vuajtja e viktimave nuk është anashkaluar. Ajo që presim që të ndodhë është që viktimat të kenë zërin e tyre dhe që zëri i tyre të jetë dëgjuar”, tha ai.
Sipas tij, të gjitha viktimat kanë pyetur veten “pse më ndodhi kjo mua”, duke ngritur pyetje të tjera pse njerëzit duhej të ndaloheshin e më pas të keqtrajtoheshin.
“Pse duhej të përfundonin në varre të pashënuara?”, pyeti ai.
Tani e tutje do të jeni me Mimoza Sadikun.
Faleminderit që jeni me ne.