Fjala për ekipin mbrojtës të viktimave
Ekipi përfaqësohet sot nga avokati Simon Laws.
Sipas tij, nuk është ekzagjerim nëse thuhet se krimet e kryera kanë lënë plagë të rënda dhe të shëmtuara.
“Në Kosovë, në Serbi, në diasporë dhe në gjithë botën ka njerëz të cilët zgjohen sot me dhimbje në trupat e tyre dhe në mendje kanë keqardhje dhe humbje në mungesë të njerëzve që i kanë dashur më shumë. Ata janë viktima të krimeve të kryera nga ish-anëtarë të UÇK-së, më 1998-1999... 155 prej tyre janë pranuar si viktima pjesëmarrëse të kësaj çështjeje gjyqësore, shqiptarë, serbë, romë dhe parashtrimet e mia dua t’i përqendroj në emrin e tyre”.
Ai ka thënë se ishte e pashmangshme se lufta e UÇK-së për pavarësi do të rezultonte me humbje jetësh njerëzore.
“Kjo është pasojë e konfliktit dhe asgjë që mund të them unë nuk përbën gjykim lidhur me të drejtat apo të padrejtat e kësaj lufte, dhe nuk është as vlerësim për UÇK-në në përgjithësi. Shumë prej viktimave e kanë përkrahur UÇK-në, një numër prej tyre kanë qenë anëtarë të UÇK-së. Këtu nuk bëhet fjalë për të denigruar këtë institucion, por bëhet fjalë për sjelljen e disa prej anëtareve të tij, bëhet fjalë për pasojat në jetët e atyre që unë përfaqësoj”, ka thënë Laws.
Fjala e fundit për prokuroren Kimberly West
Ajo ka folur edhe një ditë më parë para trupit gjykues. Sot e përfundon deklarimin në emër të Prokurorisë.
West i ka thënë trupit gjykues se Prokuroria ka pranuar mbi 5.000 prova materiale dhe janë paraqitur mbi 28.000 faqe transkripti.
Për këtë rast Prokuroria ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë.
"Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarë të familjes kanë menduar se nuk do të ketë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton se askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë se edhe njerëzit më të fuqishëm do të duhet të japin llogari. Ne kërkojmë, mbi bazën e provave të paraqitura, që të akuzuarit të japin llogari dhe të jepet dënimi i duhur”, ka thënë West para trupit gjykues.
Prokuroria për Krasniqin
Prokuroria po pretendon se nuk ekziston asnjë argument konteksti që mund ta shpëtojë Jakup Krasniqin kur thotë se "ata të cilët i kemi rrëmbyer janë lajmëruar përmes listës apo janë raportuar si të ekzekutuar".
Sipas Prokurorisë, nuk ekziston asnjë paqartësi për paralajmërimin publik për bashkëpunëtorët që do të vriteshin nëse do të vazhdonin të ecnin në rrugën e gabuar.
Ajo insiston se Krasniqi ka pasur një deklaratë të UÇK-së si shënim me shkrim dore në shtëpinë e tij ku thuhet se “duhet të respektojmë hierarkinë me fanatizëm”.
Prokuroria pretendon se në disa dorëshkrime tjera që janë gjetur, Krasniqi insistonte se asgjë nuk duhej nënshkruar pa miratimin e Shtabit të Përgjithshëm.
“Këto nuk janë deklarata të kota”, tha Prokuroria.
Rinis seanca
Prokuroria është kthyer për t’i thënë fjalët e saj të fundit në kuadër të deklaratave përmbyllëse.
Tani është fokusi te Jakup Krasniqi.