Ndërlidhjet

Në foto: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, dy prej të akuzuarve në gjyqin e Hagës.
Në foto: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, dy prej të akuzuarve në gjyqin e Hagës.

Çfarë u tha në ditën e dytë të deklaratave përmbyllëse në Speciale?

• Sot ishte dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Në përmbylljen e deklaratave, Prokuroria folin për rolin e të akuzuarve dhe tha se Thaçi kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët, duke kërkuar që të merren me rezerva pretendimet e mbrojtjes për rolin e të akuzuarve në UÇK.

• Mbrojtësi i viktimave, ndërkaq, tha se pret që në vendimin për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave. Gjatë deklaratës u tha se viktimat pësuan dëme fizike që u tejkaluan, por “dëmi psikologjik ua ndryshoi jetën”

• Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:26 10.2.2026

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ditës së dytë të deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë në rastin kundër ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në ditën e dytë, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.

Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.

Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite.

Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.

Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.

Nesër në mëngjes, ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë fjalën përmbyllëse.

Faleminderit që na ndoqët!

15:13 10.2.2026

Laws: Fakti që anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, s’e bën atë organizatë kriminale

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.

Në fjalën e tij para Gjykatës, Laws tha se ka pasur “përpjekje cinike” për të fshehur krimet e pretenduara.

“Janë dy të vërteta: UÇK mund të ketë luftuar një luftë çlirimtare dhe pjesa dërmuese e luftëtarëve të saj e ka bërë këtë. Por, është e vërtetë edhe tjera që anëtarë të UÇK të kenë kryer krime”, tha ai në përmbyllje të seancës.

Mbrojtja e Thaçit do të nisë nesër fjalën e saj përmbyllëse.

Mbrojtësi i viktimave, Laws gjatë fjalës në Hagë.
Mbrojtësi i viktimave, Laws gjatë fjalës në Hagë.


14:28 10.2.2026

Laws flet për përjetimet e familjarëve të viktimave

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacione se të afërmit e tyre nuk jetonin më.

“Mungesa e informacioneve u jepte atyre shpresë”, tha ai.

Ai, duke cituar disa dëshmitarë, tregoi për përjetimet e familjarëve të viktimave. Laws përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij.

“Kjo ka qenë një torturë e vërtetë”, kishte dëshmuar ajo.

Laws po ashtu foli për vrasjet, që pretendoi se janë kryer nga UÇK-ja. Mbrojtësi i viktimave tha se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja është dashur të ndërmarrë hapa për hetimin, ndjekjen penale të tyre”, tha Laws.

Disa nga viktimat, pretendoi Laws, kanë heshtur për humbjen e të afërmve të tyre nga frika se e njëjta gjë mund t’iu ndodhë atyre.

14:18 10.2.2026

Rinis seanca

Në Hagë ka rinisur seanca. Gjykatësi pyeti mbrojtësin e viktimave edhe sa kohë i duhen për fjalën e tij dhe ai tha deri në 30 minuta. Ekipi mbrojtës i Thaçit ndërkaq tha se dëshiron që nesër të mbajë fjalën e saj përmbyllëse.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG