Ndërlidhjet

Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Çfarë u tha në ditën e katërt të deklaratave përmbyllëse në Hagë?

• Më 12 shkurt u zhvillua dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Veselit tha se ai është tërësisht i pafajshëm dhe nëse dënohet do të ishte një padrejtësi e madhe. Ndërkaq, mbrojtja e Selimit argumentoi se nuk ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe të akuzuarit nuk ishin pjesë e një ndërmarrjeje të tillë që synonte marrjen nën kontroll të Kosovës dhe luftimin e kundërshtarëve.

• Mbrojtja e Thaçit më herët ka përmbyllur deklaratën përfundimtare, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:33 12.2.2026

Avokati: ZPS mbështetet në një intervistë që Selimi dha për ta

Avokati Geoffrey Roberts tha se ZPS-ja mbështetet tek një intervistë që Selimi kishte dhënë për ta. Por, ai argumentoi se ky rrëfim nuk u bë nën betim dhe ai mund të ketë gabime.

“Duke qenë se ai po merrej në pyetje për ngjarje para 20 vitesh, ai u përgjigj pa referenca dhe burime materiale. Mund të ketë gabime”, tha ai.

Ai paralajmëroi trupin gjykues se kjo intervistë dhënë ZPS-së mund të minojë peshën që ajo të merret si provë e besueshme.

“Selimi nuk po akuzohet mbi një rrëfim që mund të jetë i besueshëm. Gabimet, lëshimet në kujtesën e tij mund të ketë dhe minojnë peshën që duhet t’i jepet kësaj prove”, tha Roberts.

15:21 12.2.2026

Mbrojtja: Selimi është i pafajshëm

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, në fillim të fjalës tha se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë asnjë nga krimet që i ngarkohen klientit të tij.

“Selimi është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet në aktakuzë. ZPS-ja thjesht nuk ka arritur të provojë asnjë prej këtyre krimeve të pretenduara. Kaq është dhe ky është qëndrimi ynë”, tha ai.

15:18 12.2.2026

Mbrojtja e Selimit nis deklaratat përmbyllëse

Pas pushimit, në Hagë ka nisur fjalën përmbyllëse ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit.

Qëndroni me ne!

13:42 12.2.2026

Mbrojtja: Veseli është tërësisht i pafajshëm

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, kërkoi që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat, në të kundërtën tha se do të ishte “një padrejtësi e madhe”.

“Veseli meriton një vendim të drejtë dhe të duhur ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh e kundërta, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha Dixon në fund të fjalës përmbyllëse.

Sipas tij, Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka arritur të konfirmojë asnjë akuzë.

“Dhe, nga ana tjetër ka shumë pika që mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm. Ne parashtrojmë që parashtrimi i prokurorisë të hidhet krejtësisht poshtë”, tha ai.

Dixon tha se 155 viktimat e përfshira në këtë rast meritojnë “të gjejnë paqe dhe qetësi”, por shtoi se është gabim që ZPS-ja të ndjekë persona si Veseli, për të arritur qëllimin që të sjellë “qetësi shpirtërore për viktimat”.

Pas mbrojtjes së Veselit, gjatë ditës do të nisë paraqitjen e deklaratave përmbyllëse mbrojtja e Rexhep Selimit.

Rodney Dixon
Rodney Dixon

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG