Mbrojtja e Selimit vë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së
Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së për disa incidente që e lidhin Selimin me krime të pretenduara, sikurse ndalimi dhe kërcënimi i personave të ndryshëm.
Ai tha se për një incident të prillit të vitit 1999 në Kleçkë, ZPS u mbështet në një dëshmitar, që tha se “shpiku historinë” se ishte takuar me Selimin prandaj arriti ta identifikonte më pas.
Për një dëshmitar tjetër, Roberts tha se ka histori të rrëfimeve të pavërteta para ZPS-së, në bazë të interesave të tij.
Ai mohoi e ka prova që Selimi është përfshirë në incidentin e Qirezit, përkatësisht ndalimit të disa anëtarëve të UÇK-së, e as në ndalimin e Blerim Kuçit.
Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të deklaratave përmbyllëse në Hagë në rastin kundër katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë ditës, ekipi mbrojtës i Veselit përmbylli fjalën e tij, duke argumentuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet. Në të kundërtën, tha avokati tij, "do të ishte padrejtësi e madhe".
Mbrojtja e Veselit ka insistuar se ndaj tij nuk ka prova dhe as dëshmitar të paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në seancën e sotme, avokatët hodhën poshtë pretendimet e ZPS-së se komunikatat e UÇK-së ishin bazuar në informacionet e inteligjencës nga Veseli si udhëheqës i shërbimit zbulim-kundërzbulim.
Pasdite, mbrojtja e Rexhep Selimit nisi fjalën përmbyllëse. Avokati i tij, Geoffrey Roberts, tha se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm.
Ai argumentoi se nuk kishte Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, siç pretendon Prokuroria.
Roberts tha se Selimi luftoi për liri, e jo për pushtet, siç ka argumentuar ZPS-ja.
Ai po ashtu vuri në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Gjatë së premtes, në Hagë do të vazhdojnë deklaratat përmbyllëse nga ekipet mbrojtëse të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Faleminderit që na ndoqët!