Ndërlidhjet

Me linjë ajrore drejt zgjidhjes së kontestit


Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit - Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, të premten më 11 shkurt kanë zyrtarizuar linjën e parë ajrore Shkup-Sofje, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si në ekonomi, infrastrukturë, transport, shëndetësi, arsim dhe sfera të tjera.

Fluturimi i parë ishte promovues me delegacionet qeveritare të dy vendeve, ndërsa për pasagjerë linja pritet të jetë funksionale pas një muaji.

Vendimi për këtë linjë ajrore ishte marrë më 25 janar, në mbledhjen e dy qeverive në Sofje, ndërsa synon relaksimin e marrëdhënieve mes dy vendeve para se të bisedojnë për thelbin e kontestit, aspektet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas, që janë lënë për në fund, pasi grupet e tjera të punës të shënojnë përparim në sferat e bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pret rezultate nga grupet e punës, ndërsa sa i përket historisë, u shpreh se për këtë duhet të bisedojnë historianët, të cilët, sipas tij, nuk duhet të përzihen në çështjet politike.

“Me Republikën e Bullgarisë kemi hapur një proces negociues. Kemi formuar grupe pune që do të fokusohen në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, transportit. Sot realizuam edhe fluturimin e parë ajror. Sa i përket komisionit të historisë, është mirë që historianët të flasin për histori dhe politikanët për politikë”, deklaroi Kovaçevski, i pyetur rreth përplasjeve ndërmjet historianëve të të dyja vendeve, të cilët thanë se dallimet mund të çojnë edhe në dështimin e gjithë procesit negociues.

Edhe pala bullgare shprehet me tone optimiste për një bashkëpunim ekonomik me Maqedoninë e Veriut, por Sofja nuk preferon të flitet për afate, siç pret Shkupi, që marrëveshja eventuale të arrihet në gjashtë muajt e parë të vitit.

“Unë jam optimiste, megjithatë, ky është një proces që nuk duhet të lidhet me data specifike. Varet nga vullneti i mirë i të dyja palëve për të bërë përparim. Ne jemi jashtëzakonisht qëllimmirë, të përgatitur për dialog, por duke respektuar plotësisht qëndrimin kornizë të Këshillit të Ministrave, deklaratën e Asamblesë Kombëtare dhe mendimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit të Bullgarisë. Ky proces karakterizohet nga nisma specifike që krijojnë kushte të ngadalta për bashkëpunim më efikas në fusha të ndryshme të interesit”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska, për mediat në Sofje.

Por, ajo theksoi rëndësinë që ka për Bullgarinë, zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë, por edhe respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ajo që dua të theksoj është se ne jemi të përkushtuar për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së vitit 2017 dhe respektimin e të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë kërkesën legjitime që bullgarët atje të përfshihen në baza të barabarta me kombet e tjera në Kushtetutën e këtij vendi. Të drejtat e njeriut janë vlerë themelore e Unionit, në të cilin Maqedonia e Veriut dëshiron të anëtarësohet”, deklaroi Gençovska.

Marjan Gjorçev, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bullgari, tha se bashkëpunim ekonomik duhej të kishte edhe pa zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve, por kjo, sipas tij, mund të mos ketë ndodhur për shkak të leverdisë së ekonomike përkatëse.

Gjorçev nuk është edhe shumë optimist nëse përmes bashkëpunimit ekonomik do të arrihet zgjidhja e mosmarrëveshjeve thelbësore.

“Mbeten ende shumë çështje të hidhura të pazgjidhura dhe mbetet të shohim se çfarë rezultati do të ketë nga bashkëpunimi në sferat që janë marrë vesh dy qeveritë si në ekonomë, biznes, turizëm, kulturë, që të shohim nëse do të ketë rezultate edhe në thelbin e kontestin mes dy vendeve”, tha Gjorçev.

Sipas tij, bashkëpunimi duhet të ekzistojë. Linja ajrore, theksoi Gjorçev, ka mundur të vendoset edhe më herët dhe nuk do të kishte nevojë për një vendim politik.

Ai shprehu besimin se ajo nuk ka funksionuar për shkak të afërsisë mes dy vendeve, por edhe llogarive financiare, kostos e kështu me radhë që mund të kenë marrë parasysh drejtuesit e aeroporteve në të dyja vendet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG