Ndërlidhjet

Ministria e Arsimit sërish bën thirrje për vaksinim të mësimdhënësve


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci.

Viti i ri shkollor në Kosovë pritet të nisë me prezencë fizike të nxënësve nëpër shkolla, sipas planeve të Ministrisë së Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci, ka thënë të premten se studimet kanë treguar se mësimi online dhe ai i kombinuar nuk kanë treguar rezultatet e duhura.

“Jemi duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor të nisë me prezencë fizike në shkolla”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Sipas Nagavcit deri më tani rreth 50 për qind e të gjithë personelit në institucionet e arsimit është vaksinuar.

“Po synojmë që t’i kemi të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të vaksinuar. Bëj thirrje për të gjithë punëtorët e arsimit, mësimdhënësit dhe personelin tjetër që të vaksinohen dhe të jenë të gatshëm për vitin e ri shkollor”, ka shtuar mes tjerash ajo.

Së fundmi në Kosovë është regjistruar rritje e numrit të fëmijëve të infektuar me koronavirus, përkatësisht 47 në dy ditët e fundit.

Gjendja e këtyre fëmijëve konsiderohet stabile, meqë shumica nga ta, sipas autoriteteve shëndetësore, janë duke u trajtuar në shtëpi.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk e konsideron të sigurt fillimin e vitin e ri shkollor, në rast të rritjes së numrit të rasteve të fëmijëve me COVID-19 dhe mosvaksinimit të mësimdhënësve.

“Nëse vazhdohet me këtë tendencë të rritjes së numrit të të infektuarve në mesin e fëmijëve dhe të rriturve, atëherë vërtet shtatori (fillimi i procesit mësimor) do të jetë me shumë pikëpyetje. Për të mos qenë në pikëpyetje, kolegët tanë mësimdhënës, kudo në Kosovë, duhet të vaksinohen me të dy dozat e vaksinës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Ndërkaq Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ka deklaruar se mosvaksinimi i mësimdhënësve mund të vështirësojë fillimin e procesit mësimor më 1 shtator.

“Si pasojë e mosvaksinimit të mësimdhënësve, procesi mësimor do të rrezikohet dhe do të rritet numri i të infektuarve. Këshilli i Prindërve të Kosovës, tash e sa kohë, në mënyrë publike u është drejtuar institucioneve dhe Qeverisë – pasi është përgjegjësi e Qeverisë që të ndjekë shembujt e vendeve të tjera – që të fillojnë kushtëzimin e kategorive të ndryshme të qytetarëve me marrjen e vaksinës. Ne jemi për kushtëzimin e marrjes së vaksinës nga të gjithë shërbyesit publikë, posaçërisht dhe me prioritet të mësimdhënësve për shkak se procesi mësimor do të fillojë në shtator dhe rreziqet janë shumë të mëdha”, ka thënë mes tjerash ai.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.

XS
SM
MD
LG