Ndërlidhjet

Ministria e Industrisë e gjobit KEDS-in për njehsorët elektrikë me afat të skaduar

Një zyrtar i MINTI-t duke hetuar njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), mes dyshimeve për parregullësi, 14 prill.
Një zyrtar i MINTI-t duke hetuar njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), mes dyshimeve për parregullësi, 14 prill.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), njoftoi të martën se e ka gjobitur Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), pasi ka gjetur se ajo ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.

Në një njoftim për media, MINTI tha se ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Megjithatë, ajo nuk tregoi se sa njehsorë me afat të skaduar i ka gjetur, e as është numri i gjobave të shqiptuara.

Ajo theksoi se gjobat vijnë pasi Agjencia e Metrologjisë e kësaj Ministrie ka vërejtur se shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend nuk e ka respektuar afatin e vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.

MINTI shtoi se Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë e ka shtuar veprimtarinë në terren pas ankesave të pranuara nga konsumatorët.

Gjobat vijnë rreth dy javë pasi MINTI kishte paralajmëruar se do ta ndëshkonte KEDS-in si pronare dhe shfrytëzuese e njehsorëve elektrikë, pasi gjeti parregullsi në disa prej tyre.

MINTI bëri të ditur asokohe se gjetjet e para nga hetimet në terren kishin nxjerrë në pah se njehsorët e verifikuar kishin pasur afat të skaduar të vlefshmërisë, pasaktësi në ditë dhe në orë.

Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.

Parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale, të cilat publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shpërndarësi i rrymës i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.

Sipas KEDS-it, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë. Por, kompania tha se, në rast të gjetjes së pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

XS
SM
MD
LG