Ndërlidhjet

MINTI me kontrolle në sektorin e qumështit: Produktet me etiketa të pasakta do të tërhiqen nga tregu

Qumësht i kompanive të ndryshme, në raftin e një dyqani në Kosovë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Qumësht i kompanive të ndryshme, në raftin e një dyqani në Kosovë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), njoftoi se nga 6 gushti, do të nisë kontrolle intensive, shqiptim të ndëshkimeve dhe tërheqje të produkteve nga tregu, në rast se në etiketat e produkteve të qumështit ka deklarim të pasaktë ose modeklarim të përdorimit të qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë.

Njoftimi vjen pas prezantimit të gjetjeve nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila një ditë më parë tha se në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë.

Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës.

Gjetjet u publikuan pas një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të kryer nga AUV-ja.

Sipas njoftimit të MINTI-t, nga 6 gushti, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, do të kryejnë kontrolle në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, duke përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

MINTI tha se çdo produkt për të cilin, pasi të jenë kryer verifikime zyrtare dhe analizave laboratorike, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale, “do të tërhiqet menjëherë nga tregu, në përputhje me procedurat ligjore”.

“Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë gjobat, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe çdo masë tjetër të paraparë me legjislacionin në fuqi”, paralajmëroi kjo ministri.

Kontrollet intensive, sipas MINTI-t, do ë përqendrohen në përputhjen mes përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë, deklarimit të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe çdo përbërësi tjetër, saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve, dokumentacionin e lëndëve të para si dhe produkteve që mbahen për tregtim ose ofrohen për shitje,

MINTI tha se mosdeklarimi apo deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit.

“Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional”, u tha në njoftim.

Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të muajit të kaluar, pasi inspektorët e AUV-së, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.

Kompania më pas pezulloi përkohësisht punën dhe pati përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.

Drejtuesit e kompanisë Vita e konsideruan këtë kontroll selektiv dhe e akuzuan ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.

Në rezultatet që AUV prezantoi në konferencën e së martës ishin listuar edhe disa mostra të kompanisë Abrazen, që është kompania amë e Qumështores Vita.

Në listën e prezantuar, shkruan se në mostrën “qumësht”, vaji i palmës është detektuar por jo i deklaruar.

Por, Vita mohoi se në qumështin e saj ka vaj palme, duke i cilësuar rezultatet e publikuara nga institucionet si të pavërteta.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë në pyetjet e dërguara në adresë të Qumështores Vita, kjo kompani ka mohuar kategorikisht prezencën e vajit të palmës në qumështin Vita, duke i quajtur rezultatet e publikuara sot si të pavërteta.

AUV-ja nuk e ka bërë të qartë saktësisht listën e plotë të kompanive produktet e të cilave janë testuar, ndonëse e ka prezantuar një listë me 38 mostra ku janë gjetur mospërputhje, edhe pse në fillim të konferencës u tha se janë 93 mostra në total me mospërputhje.

Sipas legjislacionit aktual në Kosovë, nuk ka një kufi të veçantë që përcakton se në çfarë sasie mund të përdoret vaji i palmës në produktet ushqimore dhe ato të qumështit.

Por, sipas një rregulloreje të Bashkimit Evropian, produkte të qumështit konsiderohen ato produkte që nxirren nga qumështi dhe që gjatë prodhimit të tyre nuk është shtuar asnjë substancë që zëvendëson një përbërës të qumështit.

Madje termat si “djathë”, “kos”, “gjalpë” rezervohen vetëm për produkte nga qumështi, e që nuk lejohet të përdoren për produkte që kanë të shtuara yndyra bimore për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore të qumështit.

XS
SM
MD
LG