Ndërlidhjet

Modelet e përmendura për Asociacionin


Një burrë duke kaluar pranë një muri ku është shkruar "Tension për asociacion", në Prishtinë. Fotografi ilustruese.
Një burrë duke kaluar pranë një muri ku është shkruar "Tension për asociacion", në Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 13 mars se është duke i trajtuar 15 modelet evropiane të ofruara nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti, gjatë një vizite në Kamenicë më 13 mars, nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.

Në fillim të marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian konfirmoi se i ka ofruar Kosovës 15 modele ekzistuese evropiane për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto modele po trajtohen dhe nga to mund të merren “elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë”.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.

Por, Radio Evropa e Lirë në gusht të vitit të kaluar ka raportuar për disa prej modeleve evropiane të përmendura në media, elementet e të cilave do të mund të aplikoheshin në rastin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shtete të ndryshme evropiane, sikurse Zvicra, Italia, Finlanda, Spanja, Belgjika dhe të tjera, kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Finlanda

Një prej modeleve të përmendura më herët, sa i përket rregullimit të të drejtave gjuhësore, kulturore të minoriteteve është edhe ai i Finlandës.

Minoriteti suedez që jeton në Finlandë, sipas Kushtetutës së këtij shteti, ka të drejtë të përdorë gjuhën amtare në shkolla, por edhe dialektet e pjesëtarëve të komunitetit suedez janë të mbrojtura.

Edhe në Kosovë, në bazë të Kushtetutës, gjuhë zyrtare është ajo shqipe dhe serbe. Por, në Finlandë, rajoni i ishujve Aland, ka një autonomi më të gjerë sa i përket gjuhës suedeze, dhe komuniteti suedez ka edhe përgjegjësi të tjera.

Shembull, komuniteti lokal në këta ishuj mund të vendosë nëse banorë nga pjesë të tjera të Finlandës mund të zhvendosen atje.

Italia

Në Itali, nga 20 rajone sa janë, pesë prej tyre kanë status autonom. Pavarësisht statusit të tillë, ajo janë ende pjesë e Italisë, por që kanë një kontroll më të madh për rregullimin e brendshëm, duke nisur nga gjuha e deri te mbledhja e taksave.

Rajoni Trentino-Alto Adige, ku jeton minoriteti gjermano-folës, por edhe minoritete të tjera gjuhësore, ka rregulla të ndërlikuara sa i përket gjuhës.

Megjithatë, aty përfaqësimi është i strukturuar në bazë të balancave demografike midis gjermano-folësve dhe italiano-folësve.

Një prej këtyre pesë rajoneve autonome italiane ka përgjegjësinë e plotë të mbledhjes së taksave në territorin e tyre. Ndërkaq, në katër rajonet e tjera aplikohen sisteme të përziera të mbledhjes së taksave, ku shumica e tyre shkojnë në qeverisjen qendrore dhe qeverisja qendrore vendos për shpenzimin e tyre për projektet në këto zona.

Zvicra

Të 26 kantonet zvicerane në masë të madhe janë vetëqeverisëse dhe sipas Marko Prelecit, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, kanë përgjegjësi edhe për kufijtë e jashtëm të Zvicrës.

Gushtin e kaluar, ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia në këto kantone nuk është zvicerane, por polici e kantonit që shërben në emër të Konfederatës Zvicerane.
Në Zvicër, ku jetojnë komunitete të ndryshme gjuhësore, përveç zbatimit të ligjit, kantonet kanë përgjegjësi edhe në fushën e shëndetësisë, atë të mirëqenies, mbledhjes së taksave dhe në fushën e edukimit.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit dhe Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i kanë thënë REL-it se ka edhe modele të tjera që do të mund të merren si shembull për Kosovën.

Ndër këto modele ata kanë përmendur edhe modelin skandinav, apo modeli i Belgjikës sa i përket të drejtave të modeleve, përfshirë edhe përdorimit të gjuhës amtare dhe shkollimit në gjuhën e tyre.

Po ashtu, disa rajone spanjolle, sikurse Katalonja, kanë rregullime të ndryshme sa i përket komuniteteve. Shembull, në këtë rajon, ka forca të veçanta policore.

Ky rajon spanjoll, me status autonom, qe një kohë të gjatë kërkon pavarësi nga Spanja.

*Video nga arkivi: Pesë gjëra që duhet t’i dini për Asociacionin

Shumica e modeleve të përmendura në media, kanë elemente të cilat përmenden edhe në marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Përveç të drejtës së përdorimit të gjuhës – të përfshirë në Kushtetutën e Kosovës – në marrëveshjet për Asociacionin përmendet edhe që udhëheqësi i policisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të jetë serb.

Vite më parë, serbët janë inkuadruar në strukturat e Policisë së Kosovës, por vitin e kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave, ata u dorëhoqën nga Policia. Aktualisht, autoritetet janë në proces të rekrutimit të policëve të rinj.

Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel po ashtu prekin rregullime edhe për fushën e zhvillimit të ekonomisë lokale, atë të shëndetësisë dhe arsimit.

Prelec i ka thënë REL-it, se jo domosdo shembujt e përmendur do të ishin ide e mirë për Kosovën, por sipas tij, “janë më shumë dëshmi se ka shumë mundësi që mund të bëni dhe njëkohësisht të ruani integritetin e shtetit”.

Të dy analistët kanë thënë se një model për krijimin e Asociacionit në Kosovë duhet të bazohet në strukturën demografike dhe kontekstin politik të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe në kohën kur ishte në opozitë, është shprehur kundër themelimit të një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive.

Ai ka shprehur drojën se diçka e tillë do t’i ngjasonte entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Më 13 mars, duke folur për modelet e ofruar nga BE-ja, ai ka deklaruar se “kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilat ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që ta themelojë Asociacionin.

*Video: Deklaratë e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Hovenier: Nuk lejojmë Republika Sërpska në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se janë kundër krijimit të një Republike Sërpska, teksa Serbia vazhdimisht ka insistuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG