Ndërlidhjet

SHBA vendos moratorium mbi ekzekutimet federale


Prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland.
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland.

Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi një moratorium mbi ekzekutimet federale, pasi rishikoi politikat dhe procedurat e dënimit me vdekje.

Prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, tha se “Departamenti i Drejtësisë duhet të sigurojë që secili në sistemin federal të drejtësisë penale, jo vetëm që i ka të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligjet amerikane, por gjithashtu trajtohet në mënyrë të drejtë dhe njerëzore”.

“Ky detyrim ka fuqi të veçantë në rastet e dënimit kapital”, tha Garland.

Në muajt e fundit të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Byroja e Burgjeve në SHBA ka kryer 13 ekzekutime.

Vargu i ekzekutimeve - më i gjati nën një president në 120 vjet - është bërë pasi ish-prokurori i përgjithshëm, William Barr, ka rinisur përdorimin federal të dënimit me vdekje, pas një ndërprerjeje 17-vjeçare.

“Janë ngritur shqetësime serioze në lidhje me përdorimin e vazhdueshëm të dënimit me vdekje në të gjithë vendin”, tha Garland në deklaratën ku njoftoi për moratoriumin.

Këto përfshijnë “mënyrën arbitrare të zbatimit të tij, ndikimin e ndryshëm te njerëzit me ngjyrë dhe raste të tjera të rënda”, tha Garland.

Ekzekutimet federale janë ndërprerë për shkak të shqetësimeve në lidhje me një koktej me tri ilaçe, që është përdorur për një numër ekzekutimesh.

Një nga ilaçet ka qenë gjithashtu vështirë të sigurohet, pasi ndërmarrjet farmaceutike kanë ndaluar shitjen e tij te Qeveria.

Por, Barr ka lejuar një procedurë të re me injeksione vdekjeprurëse, që kanë zëvendësuar kombinimin me tre ilaçe me një ilaç: pentobarbital.

Avokatët mbrojtës dhe kritikët e dënimit kapital kanë ngritur shqetësime në lidhje me përdorimin e pentobarbitalit, duke thënë se ai gjithashtu shkakton dhimbje dhe vuajtje.

Moratoriumi vlen vetëm për ekzekutimet federale dhe një administratë e ardhshme mund ta anulojë vendimin.

Prokurorët federalë ende mund të kërkojnë dënimin me vdekje.

XS
SM
MD
LG