Ndërlidhjet

NATO: Rusia, kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO e ka shpallur Rusinë “kërcënimin më të madh dhe më direkt” ndaj paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare, pas sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Aleanca perëndimore e ka bërë këtë deklaratë, pas takimit të liderëve në Samitin që po mbahet në Madrid.

Deklarata paraqet strategjinë për t’u përballur me atë që shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka quajtur krizën më të madhe të sigurisë prej Luftës së Dytë Botërore.

Në deklaratën e NATO-s theksohet se si sulmi rus në Ukrainë ka ndikuar në përkeqësim të sigurisë në Evropë.

Aleanca është zotuar edhe për “rritje të mbështetjes politike dhe praktike” në Ukrainë, pas pushtimit rus.

Stoltenberg ka thënë se Ukraina është duke luftuar për pavarësinë e saj, mirëpo edhe për vlerat dhe sigurinë e Perëndimit.

Zelensky paralajmëron NATO-n: Ambiciet e Moskës nuk ndalen në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë liderëve të NATO-s, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

“Neve na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…neve na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne”, ka thënë Zelensky, teksa i është adresuar Samitit të NATO-s.

“Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Evropë – për atë sesi do të duket e ardhmja në botë”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes.

Ai ka bërë thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus.

Zelensky ka bërë thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë, të cilat do t'ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.

“Rusia ende pranon miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar atë”, ka thënë Zelensky.

Ftesa për Suedinë dhe Finlandën

Në deklaratën e NATO-s, liderët janë pajtuar që edhe zyrtarisht të ftojnë Finlandën dhe Suedinë për t’iu bashkuar aleancës, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.

“Sot, ne kemi vendosur të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të bëhen vende anëtare të NATO-s dhe të nënshkruajnë protokollet për anëtarësim”, është thënë në dokument.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur shqetësimet në Finlandë dhe Suedi, duke i nxitur që të anëtarësohen në aleancë.

Kufiri i gjatë i Finlandës dhe Rusinë, mbi 1,300 kilometra, nënkupton se kufiri Rusi-NATO do të zgjerohet në mënyrë dramatike.

Stoltenberg ka thënë se pret ratifikim të shpejtë të marrëveshjes.

Të dyja shtetet kanë aplikuar për anëtarësim në aleancë në mesin e muajit maj.

Pas ftesës, duhet të ketë ratifikim të procesit në të 30-të parlamentet.

“Kjo zakonisht merr kohë, por unë pres që procesi të ecë shpejt, sepse vendet aleate janë të gatshme të veprojnë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Stoltenberg.

Turqia është pajtuar të martën që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia dhe Finlanda për luftim të terrorizmit.

"Prurjet" e Putinit në NATO
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:45 0:00

Ankaraja ka kundërshtuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve për disa javë, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri.

Ankaraja i konsideron të dyja këto organizata si terroriste.

Biden: SHBA do të forcojë pozicionin në Evropë

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Evropë, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rrisin numrin e armëve shkatërruese që kanë në Spanjë në gjashtë, nga katër sa kanë aktualisht.

Përveç tyre, Uashingtoni do të dërgojë dy skuadrilje shtesë F-35 në Britani dhe do të krijojë një bazë ushtarake në Poloni.

Aleanca është më e nevojshme se kurrë më parë, ka thënë Biden, duke shtuar se NATO-ja do të “forcohet në të gjitha drejtimet – në tokë, ajër dhe det”.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përmendur më 2019 se NATO-ja po përballej me “vdekje të trurit”, teksa rriteshin dilemat për rrugën që po merrte aleanca.

Fundi kaotik i intervenimit 20-vjeçar të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, ka ndikuar pak, derisa lufta në Ukrainë ka vënë theksin te qëllimi kyç i aleancës: mbrojtja kolektive.

Pushtimi rus në Ukrainë “e ka bërë edhe më të qartë” sa e rëndësishme është NATO-ja për të ardhmen, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në nisje të takimit.

Të mërkurën, aleanca trans-atlantike pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore dhe të rrisë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 në 300,000.

Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar përbërjen e trupave që do të angazhohen në Evropën Lindore, pasi disa vende anëtare dëshirojnë të shmangin bazat e përhershme për shkak të kostove të mëdha.

Baltiku, sidomos Estonia, kanë shtyrë NATO-n që të ndryshojë taktikat pas pushtimit rus në Ukrainë dhe që të sigurojë mbrojtje të plotë të territorit në Evropën Lindore.

Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore – janë duke marrë pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e aleancës.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG