Ndërlidhjet

Ndërprerja e stërvitjeve ushtarake me SHBA-në ndihmon në negociatat për denuklearizim


Ndërprerja e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore mund të ndihmojë në denuklearizimin e Koresë Veriore, ka njoftuar zyra presidenciale jugkoreane më 13 qershor, ka raportuar agjencia e lajmeve Yonhap.

Pas mbajtjes së samitit me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un në Singapor më 12 qershor, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë në një konferencë për media se ai do të ndalonte ato që i ka quajtur stërvitje ushtarake shumë të shtrenjta dhe “provokative”.

Trump dhe Kim shtrëngojnë duart
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Në të njëjtën kohë, Koreja Veriore ka thënë më 13 qershor se Trump është pajtuar për proces “hap pas hapi” të denuklerizimit, duke vepruar në mënyrë reciproke për të ulur tensionet dhe për të arritur paqe në mes të dy armiqve për shumë kohë.

Deklarata e parë zyrtare e Koresë Veriore më 13 qershor, pasi mbajtjes së samitit historik në mes të liderit verikorean, Kim Jong Un dhe presidentit Tump është publikuar në agjencinë e lajmeve qendrore koreane.

Kjo deklaratë duket të ketë lidhur hapat e Phenjanit për denuklearizimin me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë “stërvitjet ushtarake irrituese dhe armiqësore”, të cilat në vazhdimësi kanë krijuar shqetësim për Korenë Veriore.

Ky raport ka konfirmuar njoftimet e mëparshme të Trumpit, se gjatë samitit ai i ka premtuar Kimit se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë “lojërat luftarake” me Korenë Jugore gjatë negociatave me verikoreanët.

“Ne nuk do të vazhdojmë kryerjen e lojërave luftarake për aq kohë sa jemi duke negociuar me mirëbesim”, ka thënë Trump për Fox News në një intervistë më 12 qershor, në të cilën ka thënë se ka ftuar Kimin për të vizituar Shtëpinë e Bardhë “në kohën e duhur”.

Në një postim në Twitter më 12 qershor Trump nuk ka konfirmuar pretendimet e Koresë Veriore se ai është pajtuar për denuklearizimin hap pas hapi, mirëpo ka vazhduar t’i përmendë ato që i ka quajtuar të arritura “fantastike” të samitit.

“Bota është larguar një hap prapa katastrofës e mundshme bërthamore”, ka deklaruar Trump në Twitter.

“Jo më nisje të raketave, testime bërthamore apo kërkime! Pengjet janë kthyer te familjet e tyre. Faleminderit Kim, dita jonë së bashku ka qenë historike!”

“Nuk do të ketë kufizim në atë që mund të përfitojnë verikoreanët kur të heqin dorë nga armët bërthamore dhe të nisin angazhimin dhe treginë me botën. Udhëheqësi Kim ka para vetes mundësinë që të kujtohet si lideri, i cili nisi një epokë të re të lavdishme të sigurisë dhe prosperitetit për qytetarët e tij!, është shprehur ndër të tjera presidenti amerikan.

Trump: Kim është dhe duhet të jetë i ashpër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Në deklaratën e verikoreanëve është thënë se Kim po ashtu ka ftuar Trumpin që të vizitojë Korenë Veriore dhe lideri amerikan ka pranuar ftesën, derisa është thënë se edhe Kim ka pranuar ftesën e Trumpit për të vizituar Uashingtonin.

Agjencia e lajmeve ka cituar Kimin të ketë thënë se nëse Shtetet e Bashkuara marrin “masa të sinqerta për të ndërtuar besimin”, Koreja Veriore do të vazhdojë të marrë “hapa shtesë të vullnetit të mirë”.

“Në mënyrë që të arrijmë paqe dhe stabilitet në Gadishullin Korean dhe të arrijmë denuklearizimin, dy shtetet duhet të kenë kujdes që t’i mos kundërvihen njëri-tjetrit”, është cituar të ketë thënë Kim.

Po të mërkurën, Kremlini ka thënë se samiti në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un ka treguar se presidenti rus, Vladimir Putin me të drejtë ka mbështetur dialog të drejtpërdrejtë, si mënyrën e vetme për të ulur tensionet me Korenë Veriore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve në një konferencë telefonike se samiti ka ndihmuar në uljen e tensioneve në Gadishullin Korean.

Mirëpo ai ka thënë se kanë qenë të gabuara pritshmëritë që të gjitha çështjet për programin bërthamor të Koresë Veriore të zgjidhjen brenda një ore.

Ndryshimi i retorikës pas mbajtjes së samitit ka ardhur vetëm një vit pasi Trump e pati cilësuar Kimin si “njeriun e raketave”, derisa Kim kishte thënë se Trump ka “çrregullime mendore”, dhe të dy liderët kanë kërcënuar vazhdimisht njëri-tjetrin.

Trump ka thënë të ketë arritur “lindje speciale” me Kimin gjatë takimin 45 minutësh në Singapor, derisa Koreja Veriore ka thënë se Kim dhe Trump kanë “thelluar ndjenjat miqësore” dhe kanë planifikuar të përmirësojnë marrëdhëniet në vizita tjera në të ardhmen.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG