Ndërlidhjet

Dhjetëra zyrtarë përballen me gjoba për mosdeklarim të pasurisë

Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Tridhjetë e pesë zyrtarë nga institucione të ndryshme pritet të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për mosdeklarim me kohë të pasurisë, ndërkaq ndaj pesë prej tyre, agjencia do të dorëzojë kallëzim penal për mospërmbushje të obligimit ligjor, sipas udhëheqësit të këtij institucioni, Yll Buleshkaj.

Në listën që e posedon Radio Evropa e Lirë, në mesin e zyrtarëve publikë që pritet të gjobiten figurojnë edhe disa hetues dhe një komandant i Policisë së Kosovës, oficerë doganorë, mjekë, profesorë, zyrtarë të Bankës Qendrore e inspektorë tatimorë.

Nga pesë zyrtarët ndaj të cilëve pritet të paraqitet kallëzim penal nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tre (një polic, një mjek e një profesor) nuk e kanë deklaruar fare pasurinë, ndërkaq dy të tjerë (mjekë) e kanë bërë jashtë afatit të përcaktuar.

Sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, zyrtarët publikë janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë nga 1 deri më 31 mars çdo vit, për vitin paraprak.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se këtë vit 10 mijë e 372 zyrtarë publikë ishin të obliguar që ta deklaronin pasurinë. Brenda afatit, 10 mijë e 337 zyrtarë, e kanë përmbushur këtë obligim.

Për drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, deklarimi i pasurisë paraqet një nga shtyllat kryesore të transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.

“Shkalla e lartë e përmbushjes së këtij obligimi tregon rritje të vetëdijes institucionale, por çdo rast i mosdeklarimit apo vonesës do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me ligjin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se deklarimi i pasurisë është mjet drejt parandalimit e luftimit të korrupsionit, por që deri më tani nuk është shfrytëzuar si i tillë.

“Fatkeqësi, nga ajo çka kemi parë deri më tani, është se deklarimi i pasurisë më tepër është përdorur si qëllim përfundimtar, në kuptimin që në momentin e deklarimit të pasurisë ka përfunduar çdo gjë, sesa si mjet përmes së cilit kalojmë te aspektet e tjera: te hetimi apo zbulimi i veprave të tjera penale”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, sipas organizatës Transparency International, Kosova ka bërë një hap prapa në luftën kundër korrupsionit.

Buleshkaj thotë se procesi nuk përfundon vetëm e deklarimin e pasurisë dhe publikimin e tyre në ueb-faqen e Agjencisë, pasi pasuria e deklaruar më pas i nënshtrohet verifikimit.

“Verifikimi i deklarimeve kryhet përmes një procesi të strukturuar që përfshin: kontrolle administrative dhe logjike të deklarimeve, krahasimin e të dhënave me institucione të tjera publike [si administrata tatimore, kadastra, bankat, etj.]”, thotë ai.

Procesi i verifikimit pritet të nisë në qershor dhe, sipas Buleshkajt, mund të zgjasë deri në shtatë muaj, varësisht nga natyra e rasteve.

Përmes verifikimit, Buleshkaj thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit synon të “forcojë besimin publik dhe të garantojë integritet në ushtrimin e funksioneve publike”.

Shala nga IKD konsideron se masat sanksionuese, në rastin konkret gjobitja e zyrtarëve, e ul numrin e inkriminimit të tyre, në rastet e mosdeklarimit të pasurisë brenda afatit të përcaktuar kohor.

“Mirëpo, mund të shërbejë edhe si një aspekt tjetër, se zyrtarët në fjalë nisur nga fakti se i është shqiptuar gjoba, e kanë ditur se e kanë për obligim deklarimin e pasurisë dhe kjo e përforcon elementin e dashjes për mosdeklarimin e pasurisë dhe mbetet të shihet se si do të veprohet tutje nga ana e prokurori të shtetit”, shprehet ai.

Çfarë ndëshkimesh parashihen?

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave dhe Kodi i Procedurës Penale parashohin gjoba dhe burgim për mosdeklarimin e pasurisë.

Sa u përket gjobave, në ligj thuhet se ajo vendoset në shkallën prej 30 për qind të pagës mujore neto të zyrtarit që nuk e deklaron pasurinë, por “në asnjë rast kjo shumë nuk do të kalojë pragun prej 500 eurosh”.

Ligji u mundëson zyrtarëve, që nuk e deklarojnë pasurinë deri më 31 mars, të kenë edhe 15 ditë shtesë që ta bëjnë këtë – afat që përfundoi mesnatën e së mërkurës – në të kundërtën, Agjencia paraqet kallëzim penal te prokuroria përkatëse, e cila më pas vendos për këtë çështje.

Ndërkaq, sipas Kodit Penal të Kosovës, zyrtarët që nuk deklarojnë pasurinë mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Për deklarimin e rremë të pasurisë po ashtu parashihet dënim me gjobë ose me burgim nga gjashtë deri në pesë vjet.

Deri më tash, në Kosovë asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.

Për Shalën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi mungesa e dënimeve me burgim efektiv mbetet problematike.

“Politika ndëshkimore që e kemi parë është një politikë që përkundër faktit që përcaktohet edhe mundësia e dënimit me burgim efektiv nuk kemi pas dënime të tilla. Pothuajse të gjitha dënimet kanë qenë dënime me gjobë që definitivisht nuk janë dënime adekuate”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Pasuria e deklaruar nga krerëve shtetërorë

Pas përfundimit të afatit për deklarim, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pasditen e 17 prillit, publikoi regjistrat e deklarimeve të pasurisë nga zyrtarët publikë, në mesin e tyre edhe krerëve shtetërorë e atyre partiakë.

Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, në deklarimin vjetor të pasurisë ka bërë të ditur se në pronësi të përbashkët ka një banesë në vlerë prej 128 mijë e 740 euro, të blerë këtë vit, dhe një veturë në vlerë prej 9 mijë e 700 euro.

Në bankë ka deklaruar se ka 1 mijë e 531 euro, derisa ka 160 mijë euro kredi.

Haxhiu ka deklaruar se vitin e shkuar ka pasur të ardhura vjetore në vlerë prej 22 mijë e 658 euro, 1 mijë e 140 euro shtesa dhe kompensime të tjera, e 234.99 euro mëditje.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka 16.41 euro para të gatshme në llogari bankare derisa të ardhura vjetore në vlerë prej 21 mijë e 315.76 euro. Kurti ka deklaruar se paguan 350 euro qira në muaj për shtëpi.

Ndërkaq, ish-presidentja Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundoi në fillim të muajit prill, ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët banimi në vlerë prej 208 mijë euro. Osmani ka deklaruar se ka në pronësi të saj 5.10 ari arë në vlerë prej 35 mijë euro.

Ajo ka deklaruar se së bashku me bashkëshortin ka detyrime financiare në vlerë prej 29 mijë e 500 euro e para të gatshme në llogari bankare ka deklaruar se i ka 3 mijë e 115 euro. Osmani ka deklaruar se vitin e shkuar ka pasur 33 mijë e 248.58 euro të ardhura vjetore nga paga, derisa 10 mijë e 305.12 euro mëditje nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

Çfarë pasurie deklaruan opozitarët?

Deklarimin e pasurisë e kanë bërë edhe krerët e partive opozitare.

Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, subjektit më të madh opozitar, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa, njëra në vlerë prej 70 mijë eurosh dhe tjera në vlerë prej 46 mijë eurosh, 1 hektar tokë në vlerë prej 50 mijë euro, tri garazhe në vlerë prej 14 mijë e 700 eurosh dhe shtëpi në vlerë prej 25 mijë eurosh. Hamza ka deklaruar 10 mijë e 765.35 euro para të gatshme e 1 mijë e 356.77 euro kredi. Ai ka deklaruar të hyra vjetore në vlerë prej 19 mijë e 694.99 euro.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në pronësi ka një shtëpi në vlerë prej 150 mijë eurosh, një tjetër shtëpi në pronësi të përbashkët në vlerë prej 200 mijë eurosh e një banesë në pronësi të përbashkët në vlerë 265 mijë eurosh.

Abdixhiku ka deklaruar se ka 5 mijë e 301.36 euro të gatshme në bankë. Detyrime financiare ka deklaruar se ka 2 mijë euro, e kredi të përbashkët në vlerë prej 92 mijë e 527.34. Kurse të hyra vjetore ka deklaruar 40 mijë e 889 euro.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka në pronësi disa pasuri të paluajtshme, në mesin e tyre edhe tri shtëpi: njëra në vlerë prej 340 mijë eurosh, tjera në vlerë prej 300 mijë eurosh dhe shtëpia e tretë në vlerë prej 202 mijë eurosh. Ai ka deklaruar edhe një shtëpi, si pronë të përbashkët, në vlerë prej 270 mijë eurosh.

Haradinaj ka deklaruar se ka edhe tokë në vlerë prej 60 mijë e 740 euro, truall në vlerë prej 13 mijë e 760 euro si dhe një tokë tjetër në vlerë prej 14 mijë e 259 euro.

Në pronësi të përbashkët ka deklaruar banesë në vlerë prej 524 mijë e 603.82 euro dhe vilë në vlerë 120 mijë eurosh. Haradinaj, në regjistrin e deklarimit të pasurisë së tij, ka bërë të ditur se posedon një veturë në vlerë prej 19 mijë euro e se është bashkëpronar në një kompani, vlerën e aksioneve të së cilës e ka përshkruar me 500 euro.

Para të gatshme ka deklaruar se ka 23 mijë e 625.58 euro, kurse detyrime financiare në vlerë prej 78 mijë e 54.3 euro. Kryetari i AAK-së ka deklaruar se ka të ardhura vjetore në vlerë prej 112 mijë e 473.23 euro.

XS
SM
MD
LG