Si lidhet Specialja me zgjedhjen e presidentit?
Shqyrtimi i projektligjit vjen vetëm një ditë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
PDK-ja e ka kushtëzuar gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kryetari Bedri Hamza ka thënë se partia e tij, e cila ka 22 deputetë, është e gatshme të diskutojë dhe të ofrojë votat për presidentin pasi Kuvendi ta përfundojë miratimin e ligjit.
Gjatë fundjavës, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje para skadimit të afatit kushtetues.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy rundet e para.
Nëse asnjë kandidat nuk e siguron këtë shumicë, në rundin e tretë nevojiten 61 vota, por për zhvillimin e procesit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka 53 deputetë.
Qeveria e saj u zgjodh me 62 vota, pasi atë e mbështetën edhe tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputeti serb, Nenad Rashiq.
Me 22 deputetët e PDK-së, do të sigurohej numri i nevojshëm i deputetëve për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.
Protesta në mbështetje të ndryshimeve për Specialen
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ndryshoi orarin e protestës së paralajmëruar për sot, duke e zhvendosur atë në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe seanca e Kuvendit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protesta ishte paralajmëruar fillimisht për në orën 12:00, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Organizatorët e protestës “Jo në emrin tim” ftuan, po ashtu, qytetarët që t’u bashkohen nga ora 08:00 e mëngjesit në sheshin “Skënderbeu”.
Kërkesa e tyre është që deputetët t’i miratojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestat “Jo në emrin tim” kanë nisur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Të dielën është mbajtur protesta e 19-të.
Çfarë synon të ndryshojë PDK-ja?
Projektligji i propozuar prek disa elemente të funksionimit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara.
Ndër të tjera, nisma parasheh që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të Dhomave të Specializuara, të mund të procedohen në Kosovë.
Ajo parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mundësinë që dënimet të mbahen në Kosovë.
Një tjetër ndryshim i propozuar do t’u mundësonte personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
PDK-ja ka argumentuar se ndryshimet janë të nevojshme për të rritur mbikëqyrjen dhe llogaridhënien ndaj punës së Dhomave të Specializuara.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka shprehur optimizëm se projektligji do të marrë mbështetje të gjerë në Kuvend.
Ai ka thënë se nisma nuk synon shpërbërjen e Dhomave të Specializuara dhe ka bërë thirrje që deputetët ta mbështesin atë.
Sipas tij, PDK-ja nuk është kundër hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, por kundërshton atë që e konsideron padrejtësi në proceset e zhvilluara në Hagë.
Qeveria e Kosovës i ka hapur rrugë procedimit të nismës më 2 tetor.
Në një mbledhje elektronike, ekzekutivi ka dhënë vlerësimin e kërkuar nga Kuvendi për projektligjin, përfshirë opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe aspektet juridike të tij.
Qeveria ka konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e nismës.
Ndryshimet për Specialen para Kuvendit
Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara - nismë që është lidhur edhe me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, ndërsa shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është pika e parë e rendit të ditës.
Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte.
Të katërt janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e pjesës dënuese të aktgjykimit.