Ndërlidhjet

Paralajmërohet rund i dytë i negociatave Ukrainë-Rusi


Përfaqësuesit e Ukrainës dhe ata të Rusisë në rajonin Gomel të Bjellorusisë.
Përfaqësuesit e Ukrainës dhe ata të Rusisë në rajonin Gomel të Bjellorusisë.

Përfaqësuesit e Ukrainës dhe ata të Rusisë kanë përfunduar të hënën takimet e zhvilluara në Bjellorusi për të diskutuar paqen, pas sulmit rus në Ukrainë.

Të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre respektive për konsultime para rundit të dytë të takimeve që do të mbahet në ditët në vijim, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar agjencinë Belta.

Pritjet për zgjidhje paqësore nuk kanë qenë të larta.

Ukraina ka thënë se dëshiron armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, derisa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.

Mykhailo Podoliyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi ka thënë pas takimet se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.

“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”.

Negociatorët rusë kanë përmendur arritjen e një marrëveshjeje që është në interesin e të dyja palëve.

Vladimir Medinsky, udhëheqës i delegacionit rus, ka thënë se takimi i ri do të zhvillohet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.

Protestat kundër luftës përhapen në mbi 50 qytete ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka biseduar të hënën me presidentin rus, Vladimir Putin, duke përsëritur thirrjet ndërkombëtare për Moskën që t’iu japë fund sulmeve ndaj Ukrainës, sipas një deklaratë të lëshuar nga Presidenca franceze.

Në të është thënë edhe se Macron ka theksuar nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm.

Presidenca franceze ka thënë se Macron i ka kërkuar liderit rus që të ndalë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe ndërtesave, të ruajë infrastrukturën civile dhe të garantojë sigurinë në rrugët kryesore.

Putin ka konfirmuar gatishmërinë e tij ndaj këtyre kërkesave, është thënë në deklaratë.

Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini për të njëjtën bisedë telefonike, është përmendur se Putin i ka thënë Macronit se “zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohje dhe sovranitetin rus në Krime si dhe një zgjidhje për objektivat rreth çmilitarizimit dhe denazifikimit të shtetit ukrainas dhe garancisë se do të ketë status neutral”.

Franca ka thënë në deklaratë se Macron i ka kërkuar po ashtu homologut rus që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim për të parandaluar përshkallëzimin e luftës.

Sipas deklaratës, palët janë pajtuar në këtë pikë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG