Ndërlidhjet

Negociatat për qeverinë në fazën finale


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto nga arkivi

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kumtuar se kanë hyrë në fazën finale të negociatave për marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Të dy partitë në negociata, po synojnë që për pikën diskutabile, atë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilën e pretendon ta ketë nën udhëheqje Lidhja Demokratike e Kosovës, të diskutojnë dhe eventualisht të merren vesh para së hënës, më tre shkurt, kur edhe është thirrur seanca për votuar për formimin e qeverisë së re, sipas kërkesës së mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një takim, pas të cilit, nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, tha se ka pajtim për shumicën e çështjeve dhe se ka mbetur të definohet vetëm çështja e udhëheqjes së Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se Vetëvendosje do ta këtë nën udhëheqje qeverinë, me mandatarin Albin Kurti, kurse LDK-ja synon ta ketë kuvendin.

"Ne kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha çështjet që na kanë dalluar në një dokument voluminoz, i cili është marrëveshje politike e përgatitur. Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër, t'i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese duke u pajtuar që qeverinë e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje dhe mandatari apo kryeministri në ardhje zoti Albin Kurti. Ndërsa, roli i LDK-së i fokusuar në përgjegjësi të Kuvendit të republikës. Ky është dallimi kryesor dhe i vetëm që ka mbetur të definohet", tha Haziri.

Haziri, për një qeveri të pakicave, siç thuhet, tha se LDK-ja nuk do ta votojë dhe se sipas tij, qeveritë e tilla nuk janë zgjidhje.

"Qeveria e pakicës nuk ka funksionuar në Kosovë, nuk ka traditë të funksionimit të qeverisjes të pakicës në Kosovë. LDK-ja, duke qenë partia më e vjetër në rajon, pra jo vetëm në republikën tonë është e vetëdijshme se qeveritë e pakicës nuk u japin zgjidhje proceseve të rënda politike", tha Haziri.

Duke u bazuar në afatet kushtetuese, Kurti i ka kërkuar Kryesisë së kuvendit thirrjen e seancës për të hënën, pasi që atë ditë edhe i skadon koha deri kur ai duhet ta marrë miratimin e kuvendit për qeverinë e re.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e miratoi kërkesën e tij dhe e caktoi seancën për të hënën në orën 11:00.

Deri më tash, Albin Kurti ende nuk ka arritur ta finalizojë marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, çka e bën të paqartë sigurimin e shumicës prej 61 votave në kuvend për formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë një paraqitjeje për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë, u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet LDK-së dhe VV-së para datës 3 shkurt.

“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare. Unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti”, tha Konjufca.

Pozita e kryetarit të Kuvendit, të cilën e mban Konjufca, është kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që t’i dorëzohet kësaj të dytës, në mënyrë që të bëhet një ndarje e barabartë e pushtetit përkatësisht që Vetëvendosje ta ketë postin e kryeministrit, kurse LDK-ja atë të kryetarit të Kuvendit. Por, Konjufca tha të premten shkurt se nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve.

*Video nga arkivi: Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Gjatë ditës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se caktimi i seancës së tre shkurtit, është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ai theksoi se i mbetet spektrit politik të bëjë veprimet e duhura për krijimin e institucioneve.

"I mbetet spektrit politik që të shohë mundësit e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që të kemi qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur", tha Thaçi, pasi bëri homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

I pyetur se a i duhet Kosovës një qeveri e pakicave, Thaçi tha se Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe efikase.

"Kosovës i duhet një qeveri e respektit e vullnetit qytetar dhe e orientimit euro-atlantik. Pra, të një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n", tha Thaçi.

Partitë e tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma Socialdemokrate kanë deklaruar se nuk do ta votojnë qeverinë e mundshme Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi mori ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG