Ndërlidhjet

Netanyahu zotohet për ofensivë më të ashpër në Libanin jugor

Libani jugor pas sulmeve izraelite më 25 maj.
Libani jugor pas sulmeve izraelite më 25 maj.

Izraeli intensifikoi sulmet në Libanin jugor, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ka urdhëruar ushtrinë e tij t’i përshkallëzojë operacionet kundër Hezbollahut.

Netanyahu tha se Izraeli “do t’i intensifikojë goditjet, do të rrisë fuqinë e zjarrit dhe do t’i shkatërrojë ata”, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill.

Përshkallëzimi i fundit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë duke punuar në finalizimin e një marrëveshjeje më të gjerë, që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë potencialisht edhe atë në Liban.

Izraeli dhe Hezbollahu - grup që mbështetet nga Irani - kanë vazhduar të shkëmbejnë zjarr pothuajse çdo ditë që nga fillimi i armëpushimit.

Mbrëmjen e 25 majit, sulmet izraelite goditën qytete dhe fshatra në Libanin jugor dhe në Luginën Beka, ndërsa Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se tre persona u vranë në sulmet ndaj dy makinave dhe një motoçiklete.

Banorët u panë duke u larguar nga periferitë jugore të Bejrutit - bastion i Hezbollahut - pas urdhrave të Izraelit për evakuimin e dhjetë fshatrave.

Izraeli e akuzoi Hezbollahun për shkelje të armëpushimit, ndërsa zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, tha se ushtria ishte “e detyruar të vepronte me forcë”.

Hezbollahu tha më vonë se ka sulmuar pozicione ushtarake izraelite “në përgjigje të shkeljes së armëpushimit” nga Izraeli.

Dy ministra izraelitë të krahut të djathtë ekstrem bënë thirrje, gjithashtu, për një ofensivë më të ashpër kundër Hezbollahut.

“Për çdo sulm me dron eksploziv, duhet të shemben dhjetë ndërtesa në Bejrut”, tha ministri i Financave, Bezalel Smotrich.

Libani dhe Izraeli pritet të zhvillojnë bisedime në Uashington javën e ardhshme, megjithëse udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj negociatave të drejtpërdrejta dhe ka hedhur poshtë thirrjet për çarmatosjen e organizatës së tij.


XS
SM
MD
LG