Ndërlidhjet

Nivel alarmant i ndotjes së ajrit në Shkup


Ndotje e lartë e ajrit në Shkup
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Ndotje e lartë e ajrit në Shkup

Njësitë matëse për cilësinë e ajrit, që janë vendosur nga Ministria e Ambientit Jetësor, në mëngjesin e së hënës kanë regjistruar nivele alarmante të ndotjes së ajrit në Shkup.

Në Shkup, sipas matjes së bërë nga Ministria e Ambientit Jetësor, mëngjesin e së hënës, grimcat PM10 kanë arritur në 302 mikrogramë për metër kub. Kufiri i lejuar i grimcave PM10 në ajër, është 30 mikrogramë për metër kub.

Ndërkaq, mjegulla ka shkaktuar po ashtu probleme në Shkup.

Qytetarët kanë kërkuar që të ndërmarrin masa të menjëhershme, për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit. Por nga Ministria e Ambientit Jetësor, kanë theksuar se njësitë matëse duhet të tregojnë shifra të larta dy ditë rresht dhe pastaj do të aktivizohen masat e jashtëzakonshme.

Zëvendësministri i Ambientit, Jani Makraduli është arsyetuar se masat e jashtëzakonshme gjatë javës së kaluar nuk janë aplikuar edhe pse shkalla e ndotjes ishte mbi nivelin e lejuar për dy ditë me radhë, sepse siç tha ai, kishte paralajmërim se do të fryjë e erë e veriut.

“Ky është vendim i kombinuar dhe varet nga dy faktorë. Pra varet edhe nga të dhënat hidrometeorologjike dhe nga stacionet matëse dhe për atë nuk është shpallur masat e jashtëzakonshme kundër ajrit të ndotur”.

“Kemi dy faza pragu i informimit dhe pragu i alarmimit, sot nëpërmjet ministrisë tonë deri te të gjitha institucionet është njoftuar se është tejkaluar pragu i informimit”, ka deklaruar zëvendësministri Makraduli duke shtuar se “nëse gjatë ditëve të ardhshme, të dhënat e stacioneve matëse tregojnë se ndotja e ajrit mbetet në nivel të lartë, atëherë do të aktivizohen masat e jashtëzakonshme”. Këto masa nënkuptojnë transport publik falas,ndërprerje të të gjitha aktiviteteve ndërtimore në ambiente të hapur, si dhe rritje e kontrolleve të inspektorëve në terren.

Por, me këtë vendim nuk pajtohen ambientlistët. Ata thonë se drejtuesit e pushtetit vendor dhe atij qendror vetëm në formë deklarative merren me menaxhimin e problemit të ndotjes së ajrit, ndërkohë gjejnë modalitete për të shmangur përgjegjësinë dhe aplikimin e masave për uljen e nivelit të ajrit të ndotur.

Arianit Xhaferi nga organizata “Eco Guerila”, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet qeveritare nuk duhet të numërojnë ditët, përkatësisht sa ditë radhazi ka ajër të ndotur, por duhet të numërojnë sa ditë brenda vitit në një vend të caktuar shkalla e ndotjes është mbi nivelin e lejuar.

“Çdo vendi, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, brenda një viti i lejohen vetëm 35 ditë (me ajër të ndotur) mbi nivelin e lejuar. Në Maqedoni, të gjitha qytetet kanë nivel të ndotjes më të lartë se shkalla e lejuar më shumë se 100 ditë brenda vitit. Këto truqe që përdorin autoritet qeveritare për t’i ikur shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i nivelit të lartë të ndotjes, janë shumë të dëmshme për qytetarët e Maqedonisë dhe besoj se reagimi i qytetarëve duhet të jetë më i ashpër”.

“Nuk bëhet matematikë me jetën e njerëzve. Ka zona në Shkup ku ndotja e ajrit mbi nivelin e lejuar është gjatë 300 ditëve nga 365 ditë aq sa ka viti. Këto janë matematikat që duhet t’i kenë prioritet autoritetet qeveritare dhe urgjentisht duhet të ndërmarrin masa për të ulur nivelin e thotë”, Xhaferi.

Autoritetet në Maqedoni thonë se janë amvisëritë ato që më së shumti kontribuojnë në ndotjen e ajrit me përdorimin e lëndëve të papërshtatshme për ngrohje.

Si problematikë është theksuar dhe numri i madh i automjeteve në qarkullim, të cilat nuk i plotësojnë standardet ekologjike. Ambientalistët thonë se mjetet e ndara nga Qeveria për menaxhimin e problemit me ndotjen e ajrit janë qesharake dhe te pamjaftueshme për të realizuar masat që do të prodhonin efekte të dukshme, sa i përket përmirësimit të cilësisë së ajrit.

XS
SM
MD
LG