Ndërlidhjet

Gazifikimi i amvisërisë ulë ndotjen e ajrit


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Në disa qytete të Maqedonisë, niveli i ndotjes së ajrit vazhdon të jetë mbi normat e lejuara, madje duke bërë që Maqedonia të jetë me ajrin më të ndotur në Evropë, për çka kanë informuar dhe mediat e huaja.

Gjatë të hënës, në udhëkryqin që lidh kompleksin e gjykatave me rektoratin e Universiteti të Shkupit sipas ueb aplikacionit “ajri im” grimcat PM 10 kanë arritur në 118 për metër kub.

Kufiri i lejuar i grimcave PM10 është 30 mikro gramë për metër kub.

Si qytete më të ndotura në Maqedoni mbetet Shkupi, Tetova, Manastiri dhe Kumanova.

Nga Ministria e Ambientit Jetësor, thonë se është iniciuar formimin e grupit punues inter-sektorial me përfaqësues nga institucionet përkatëse, të cilat janë kompetente lidhur me këtë çështje.

“Ky grup punues ka për detyrë të lehtësojë implementimin e të gjitha masave të ndërmarra për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, qofshin ata afatshkurtra ose afatgjata”, bëjnë të ditur nga kjo ministri, duke nënvizuar se tashmë janë identifikuar burimet që kontribuojnë më së shumti në ndotjen e ajrit.

“Nëse flasim për burimet që rrisin nivelin e ndotjes së ajrit, ato veç janë të identifikuara, dhe burimi numër një ose koncentrimi më i madh i ndotjes së ajit vjen nga lëndët djegëse që përdorin amvisëritë, në vendin e dytë radhitet transporti dhe pastaj vjen industria”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Tateshi, zëdhënëse në Ministrinë e Ambientit Jetësor, duke shtuar se zgjidhja e problemit shihet në gazifikimin e amvisërive.

Përderisa ambientalistët thonë se shteti duhet të ndaj më shumë mjete për efikasitetin energjetik si dhe të intensifikohen aktivitetet rreth gazifikimit të amvisërive dhe jo të flitet gjatë fushatave zgjedhore për këtë çështje dhe pastaj “futja e gazit në amvisëri”, të bëhet çështje e përfitimeve nga tenderimet.

Kirill Ristevski nga organizata ekologjike “Florozon”, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet e shtetit çështjen e ndotjes së ajrit e vendosin në agjendë, kur problem bëhet i papërballueshëm.

Ristevski thotë se shteti duhet të ndajnë më shumë mjete për efikasitetin energjetik, izolimin e shtëpive si dhe gazifikimin e amvisërive, në të kundërtën për çdo sezon ngrohjeje, ndotja e ajrit do të jetë në nivel alarmant.

“Kemi një situatë ku një pjesë e madhe e trafo-stacioneve, që bëjnë matjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Shkup, nuk punojnë. Nuk mund të themi se kjo bëhet ose jo me qëllim, por kjo situatë bën që të mos alarmohet opinion për gjendjen katastrofale sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit. Dikush duhet të bartë përgjegjësi. Përderisa askush nuk bartë përgjegjësi, gjërat do të shkojnë keq e më keq”, thotë Ristovski.

Ndërkaq Arianit Xhaferi nga organizata që në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësore, “Eko Guerila”, për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet krijuar kushte për transport efikas urban në qytetet më të mëdha të Maqedonisë, transport ky i cili do të qarkullojë në krosi të veçanta, sipas modelit të qyteteve evropiane.

Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Xhaferi thotë se është për të ardhur keq që në qytete si Tetova e Manastiri, qytet këto që shënojnë nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, e kanë jofunksional transportin urban.

“Tetova si qytet nuk ka fare transport urban, Manastiri e ka shumë të vjetër dhe Shkupi si kryeqendër ka numër të pamjaftueshëm të autobusëve, kundrejt nevojave të qytetarëve”, thotë Xhaferi.

Edhe në bazë të një hulumtimi të realizuar nga Akademia e Shkencës së Maqedonisë, fajtorë kryesorë për ndotjen e ajrit gjatë sezonit të dimrit mbeten amvisëritë, përkatësisht 70 për qind, përderisa në ndotjen e ajrit automjete kontribuojnë me 10 për qind.

Më kuadër të këtij hulumtimi nuk është përfshirë industria si ndotëse e ajrit.

Aleksandar Dedinec nga Qendra kërkimore për Energji dhe Zhvillim në kuadër të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemi me ndotjen e ajrit duhet trajtuar me masa sistematike dhe jo zgjidhje parciale sa për të sanuar problemin në një afat të shkurtër kohor.

Ndërkohë, shtëpitë e shëndetit në Maqedoni thonë se është në rritje numri i pacientëve me probleme të organeve të frymëmarrjes si pasojë e ajrit të ndotur. Më të prekur janë fëmijët dhe pacientët me sëmundje kronike, andaj rekomandojnë që këta persona të reduktojnë daljet nga shtëpitë e tyre.

Nga dikasteri i shëndetësisë në Maqedoni nuk japin të dhëna se cili është numri i personave që kanë vdekur si pasojë e ajrit të ndotur, përderisa Agjencia Evropiane për Ambientit Jetësor bën të ditur se pikërisht ndotja e ajrit,gjatë periudhës 2015-2016 ua ka marrë jetën 1469 qytetarëve në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG