Ndërlidhjet

Një mik në anën tjetër të telefonit  


Kosovë: Qendra e thirrjeve "Linja e Jetës", që ofron ndihmë për persona me probleme të shëndetit mendor.
Kosovë: Qendra e thirrjeve "Linja e Jetës", që ofron ndihmë për persona me probleme të shëndetit mendor.

Probleme të shtresuara personale dhe profesionale, e kishin mbuluar për një kohë të shkurtër 25 vjeçarin R.B. nga Kosova.

Një rënie e papritur e gjendjes ekonomike, së bashku me ankthin dhe frikën për të ardhmen, e sollën të riun në një gjendje të rëndë të shëndetit mendor.

“Më dukej se nuk kisha rrugëdalje. Mu duk sikur isha zhgënjim për të gjithë”, rrëfen ai.

Pasi mendimet i mbajti në kokë për disa muaj dhe gjendja po i rëndohej, ai vendosi që mendimet t’i ndajë me një kushëri të tij që e kishte edhe shok.

“Më ka ndihmuar shumë, më ka udhëzuar ta takoj një psikolog. Së pari e pashë që kisha pasur nevojë të flasë me dikë”, tregon R.B.

Pas kësaj, R.B thotë se u kujdes të zbatonte këshillat e profesionistëve dhe gradualisht të largohej nga gjendja në të cilën kishte rënë.

Komunikimi dhe largimi i stigmës lidhur me shëndetin mendor, nga ekspertët po shihet si veprim kyç për ndihmën e personave me probleme të shëndetit mendor.

Në përpjekje për të krijuar një vend ku të gjithë personat në Kosovë mund të kërkojnë ndihmë apo thjesht të flasin për problemet e tyre, një grup vullnetarësh në Prishtinë, po punojnë çdo ditë në atë që quhet “Linja e Jetës”.

Kosovë: Psikologë vullnetarë të qendrës "Linja e Jetës"
Kosovë: Psikologë vullnetarë të qendrës "Linja e Jetës"

Kjo linjë telefonike, që ka synim parandalimin e vetëvrasjeve është e para dhe e vetme në Kosovë.

Ajo funksionon që nga viti 2019, si projekt në kuadër të organizatës Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.

Dorentina Podrimqaku, që kishte nisur punën si vullnetare në “Linjën e Jetës”, tani e menaxhon këtë projekt.

“Stigma është shumë e lartë dhe kemi dashur që njerëzit të dijnë që nuk është keq të bisedosh për problemet që i ke, apo të kesh një vend ku je i dëgjuar pa paragjykime, me empati, prej dikujt tjetër”, thotë ajo.

Të premten (10 shtator) shënohet Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve.

Vetëm në periudhën janar-korrik të vitit 2021, sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë u shënuan 25 vetëvrasje dhe 84 tentimvetëvrasje.

Gjatë vitit 2020, ishin shënuar 40 raste të vetëvrasjeve ndërsa më 2019-tën, 31 raste.

Kosovë - Dorentina Podrimqaku, menaxhere e qendrës së thirrjeve "Linja e Jetës"
Kosovë - Dorentina Podrimqaku, menaxhere e qendrës së thirrjeve "Linja e Jetës"

“Në qendër mund të thërras çdokush që ka nevojë të flasë”

Në qendrën e thirrjeve “Linja e Jetës”, momentalisht punojnë 47 vullnetarë, që u përgjigjen thirrjeve të personave, në një orar prej orës 14 deri në orën 2 pas mesnatës.

Numri ku mund të bëhen thirrjet pa pagesë në këtë qendër, është: 0-800-12345.

Përveç vullnetarëve, të cilët i nënshtrohen disa trajnimeve para se të punojnë në qendër, "Linja e Jetës" ka edhe mbikëqyrës si dhe profesionistë të shëndetit mendor me të cilët bashkëpunojnë.

Pordrimqaku thotë se numri i thirrjeve varion, mirëpo janë në dispozicion pa marrë parasysh numrin.

“E kemi vërejtur se kur po dalin edhe fytyrat publike (në media) dhe po flasin për shëndetin mendor, ose kur po tregojnë që kanë shkuar të kërkojnë ndihmë, ka shumë më shumë thirrje”, tregon ajo.

Edhe pse është linja e parë dhe e vetme me mision të veçantë sa i përket parandalimit të vetëvrasjeve dhe ndihmës sa i përket shëndetit mendor, kjo qendër ka punuar pa ndihmë të madhe nga shteti.

Rishtazi, Komuna e Prishtinës ka dhuruar një zyrë në Prishtinë. për t’u përdorur nga qendra e thirrjeve.

“Me tu dhënë në shfrytëzim, e njejta është renovuar në tërësi, duke iu adaptuar nevojave dhe kërkesave në ofrim të shërbimeve më cilësore dhe duke krijuar ambient të këndshëm për punonjësit dhe vullnetarët e OJQ-së në fjalë”, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, Arlinda Kastrati, zyrtare për komunikim.

Podrimqaku ka treguar se janë duke bashkëpunuar me qeverinë e Kosovës, për të realizuar një tryezë diskutimi në lidhje me shëndetin mendor, për nder të javës së parandalimit të vetëvrasjeve.

Kosovë: psikologë vullnetarë të qendrës së thirrjeve "Linja e Jetës"
Kosovë: psikologë vullnetarë të qendrës së thirrjeve "Linja e Jetës"

Pandemia përkeqësoi situatën me shëndetin mendor

“Linja e Jetës” e nisi punën para se koronavirusi të fillojë të shpërndahet në Kosovë.

Kjo linjë më pastaj vazhdoi punën në një periudhë gjatë pandemisë, që sipas ekspertëve, krijoi kushtet për një rënie të përgjithshme të mirëqenies sa i përket shëndetit mendor.

Psikologu Petrit Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja pandemike e theu rutinën e përgjithshme të shoqërisë dhe krijoi ndjenja të frikës dhe dështimit.

“Gjatë pandemisë, të gjitha këto çështje substanciale të funksionimit njerëzor janë vënë në pikëpyetje dhe prekin elemente tejet të rëndësishme të aspektit depresiv dhe anksioz”, tha ai.

Thaçi thotë se si terapist, ai e ka vërejtur një shtim të numrit të personave që kërkuan ndihmë për çështje të shëndetit mendor.

Megjithatë, sipas Podrimqakut nga “Linja e Jetës”, "një gjë të mirë që pandemia e ka sjellë, është që njerëzit kanë nisur të flasin për shëndetin mendor”.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në korrik se ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor do të jetë “afatgjatë dhe i gjerë”.

“Të gjithë janë të prekur në një mënyrë apo tjetër”, kishte deklaruar OBSH-ja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG