Ndërlidhjet

Vdes një person nga zjarret në Shqipëri


Një roje i pyjeve përdor një degë në përpjekje për të shuar një zjarr më 10 gusht 2017 pranë Sarandës në Shqipëri. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë nga organizmat ndërkombëtarë për shuarjen e zjarreve, ndërkohë që kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në disa vendbanime të rrezikuara nga zjarri në jug të Shqipërisë derisa është shënuar viktima e parë nga kjo fatkeqësi.

Një 55-vjeçar nga fshati Asim Zenel i Gjirokastrës, ka humbur jetën dhe bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime, derisa çifti po bënin përpjekje për ta shpëtuar pronën e tyre të kapluar nga flakët.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kërkoi nga banorët e zonave të prekura t’i binden thirrjes për evakuim.

“Është një situatë shumë e vështirë,” deklaroi Peleshi. “Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi këtu dhe me forcat ajrore që po zhvendosen drejt Gjirokastrës... Ju lutem banorëve të bashkëpunojnë me policinë, të dalin nga banesat”, u shpreh Peleshi.

Kreu i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Haki Çako tha se shteti shqiptar ka kërkuar nga qendra e reagimit të emergjencave civile në Bruksel për t’i ndihmuar Shqipërisë në përballje me gjendjen kritike, e cila ka vazhduar të përkeqësohet për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që vazhdojnë ta shpërndajnë zjarrin.

Situata me zjarre është shpallur kritike në rrethin e Gjirokastrës dhe të Shkodrës, ndërkohë që forcat e armatosura, krahas helikopterëve, janë vënë në dispozicion të Mbrojtjes Civile në qarkun e Gjirokastrës për ta vënë nën kontroll zjarrin dhe për ta bërë evakuimin e banorëve të rrezikuar. Autoritetet shqiptare njoftojnë për qindra hektarë pyje dhe kullota të shkatërruara nga zjarret në mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta theksoi se aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në Shqipëri dhe kritikoi reagimin e Qeverisë për t’iu dalë në ndihmë strukturave lokale për ndërhyrje emergjente.

“Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore. Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të pasur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike,” deklaroi Meta.

Pas disa ditësh betejë, situata me zjarret është përshkallëzuar të hënën, kur Qeveria shqiptare dërgoi forcat e armatosura për ta vënë nën kontroll zjarrin që po rrezikonte bazën detare Pashaliman në Karaburun.

XS
SM
MD
LG