Ndërlidhjet

Qeveria ngrin çmimin e qumështit dhe brumërave


Me masat e Qeverisë për disa produkte, çmimi i makaronave nga 50 denarë do të ulet në 43 denarë.
Me masat e Qeverisë për disa produkte, çmimi i makaronave nga 50 denarë do të ulet në 43 denarë.

Prodhuesit e qumështit dhe produkteve nga qumështi në Maqedoninë e Veriut brenda një jave duhet t’i ulin çmimet për dhjetë për qind, kurse ata të brumërave për 15 për qind.

Kështu, makaronat nga 50 denarë do të ulen në 43 denarë, kurse qumështi nga 78 më 70 denarë.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëroi dhe ngrirjen e çmimeve edhe për produkte të tjera ushqimore, si vezët, sheqeri dhe orizi.

Ministri Bekteshi, në një intervistë për Radon Evropa e Lirë, ngrirjen e çmimeve për produkte të caktuara ushqimore e ka arsyetuar me, siç ka thënë, “bashkimin e disa kompanive në bazë të parimit të karteleve me të vetmin qëllim që mos e ulin profitin”.

“Ne i marrim vendimet në pajtim me analizat e bëra nga sektori për tregti, nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut - nuk ishte respektuar ajo që ishte marrëveshje para se të futej masa për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë prodhuese të ushqimit”, tha Bekteshi.

Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra te prodhuesit e produkteve ushqimore duke nënvizuar se tregu është ai që përcakton çmimet dhe çdo ndërhyrje nga ana e Qeverisë në çmimet e produkteve ushqimore paraqet goditje për mbijetesën e shumë bizneseve. Kurse, zgjerimi i listës së ngrirjes së çmimeve të produkteve ushqimore është mirëpritur nga qytetarët.

Prodhuesit e produkteve nga qumështit thonë se masat e Qeverisë për subvencionimin e rrymës nuk mjaftojnë për të ulur koston e prodhimit.

“Qeveria lavdërohet me subvencionimin e rrymës, gjë që unë nuk shoh përfitim nga kjo masë pasi një gjë tjetër shkruan dhe një gjë tjetër del në realitet dhe këtu kemi dhe kushtëzimin me kategorinë se në cilën bllok-tarifë bie kompania për sa i përket shpenzimit të rrymës. Unë subvencionimin s’e kam parë asgjëkund”, thotë Gëzime Fejzi, e cila menaxhon një kompani që merret me prodhimin e produkteve nga qumështi, ndërsa përmend shpenzimet:

“Mendoj se nuk ka pse të pësojnë ulje çmimet e prodhimeve të qumështit. Do ta zgjidhim problemin me krizën me uljen e çmimeve për 10 për qind, këtu kemi dhe shpenzimet e derivateve të naftës që kanë shënuar ngritje, si dhe rritjen e pagës minimale... Shpenzimet tona kanë shënuar rritje të papërballueshme kjo s`na lejon t’i ulim çmimet e produkteve tona, të cilat edhe ashtu janë shumë të ulëta.

Nga ana tjetër, Marjan Petreski, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërhyrjen e Qeverisë për sa i përket ngrirjes së çmimeve e sheh si shumë pozitive për të vendosur një balancë me uljen e çmimeve të ushqimit në berzën botërore. Mirëpo, ai konsideron se këto masa duhet të zgjasin shkurt përkatësisht deri sa të stabilizohet tregu.

“Masat e këtilla duhet të jenë të jenë me afat të kufizuar, përkatësisht të zgjasin shkurt aq sa ka nevojë të stabilizohen çmimet në treg në përputhje me uljet e çmimeve të produkteve ushqimore në berzën botërore dhe pas stabilizimit të tregut ndihma e shtetit duhet të kanalizohet tek ata që kanë më së shumti nevojë si pasojë e goditjes nga kriza”, vlerëson Petreski.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka ndikuar që Maqedonia e Veriut të shënojë shkallën më të lartë të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

XS
SM
MD
LG