Ndërlidhjet

Numër i lartë i viktimave dhe rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë


Një infermiere kujdeset për pacientin brenda Klinikës për Sëmundje Infektive. (1 shtator, 2021)
Një infermiere kujdeset për pacientin brenda Klinikës për Sëmundje Infektive. (1 shtator, 2021)

Në Kosovë situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar.

Të dielën (5 shtator) në Kosovë janë regjistruar edhe 24 viktima të reja nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas raportit, 13 nga viktimat ishin të gjinisë femrore dhe 11 të gjinisë mashkullore.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars të 2020-ës, deri më 5 shtator janë shënuar 2,605 viktima në Kosovë.

Në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se pozitivë në koronavirus kanë dalë edhe 890 qytetarë.

Shifra bazohet në 10.614 mostra të testuara. Llogaritur në përqindje del se 8.3% e të testuarve kanë rezultuar pozitivë. Të shëruar nga sëmundja janë edhe 1.712 qytetarë, ndërsa raste aktive 26.688.

Të dielën në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të pacientëve në kujdes intenziv për shkak të sëmundjes COVID-19.

Të shtunën ishin raportuar 73 pacientë ndërsa të dielën (5 shtator) ky numër është rritur në 87.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.207 pacientë, prej tyre 1.101 janë të konfirmuar me koronavirus.

Prej tyre, 1.026 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 418 pacientë të shtrirë, 413 prej tyre COVID-19 pozitivë, 354 me trajtim përmes oksigjeno-terapis. Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 789 pacientë, 688 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 672 me oksigjeno-terapi”, thuhet në njoftim.

Deri më 5 shtator janë dhënë mbi 922.623 vaksina kundër koronavirusit.

Në total, 307.467 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk e ka përjashtuar mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.

XS
SM
MD
LG