Ndërlidhjet

Ohri dhe Struga me turistë, por pa fuqi punëtore


Qyteti i Ohrit në Maqedoninë e Veriut.
Qyteti i Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

Sektori i gastronomisë në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, tani kur veçse kanë arritur turistët e parë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo mungesë ndihet para së gjithash në Ohër dhe në Strugë, qytete këto përgjatë liqenit të Ohrit në pjesën jugperëndimore të vendit.

Kërste Bllazhevski, kryetar i shoqatës Hotam - shoqatë e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve - thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka biznes që nuk ka mungesë të punëtorëve, si kuzhinierë, kamarierë e të tjerë, pa të cilët nuk mund të paramendohet veprimtaria e jonë”.

Sipas tij, vetëm Struga dhe Ohri aktualisht kanë nevojë për rreth 2.000 punëtorë në sektorin e gastronomisë.

Liqeni i Ohrit në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut.
Liqeni i Ohrit në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut.

Mungesa e punonjësve ndihet për shkak të largimit të tyre jashtë vendit, kryesisht në vendet turistike si Kroacia.

Këtë e thotë edhe Erhan Papraniku, menaxher në hotelin "Beograd" në Strugë.

“Jo vetëm që nuk ka punëtorë, por nuk ka as profesionistë pasi ata që janë këtu kërkojnë të paguhen sikur të ishin super-profesionistë. Realisht, ne nuk mund të përballojmë pagesa të tilla dhe nuk di se çfarë do të ndodhë sepse nuk ka kush të punojë”, thotë ai.

Sipas tij, mungesa e kuadrit ka bërë që të ulet edhe cilësia e shërbimeve, pasi janë të detyruar të punojnë me staf që nuk i përmbushë kriteret e nevojshme për punë në këtë sektor.

“Jemi të detyruar të bëjmë kombinime mes profesionistëve dhe atyre pa përvojë, që të paktën të bëjmë balancimin e rrogave dhe shërbimeve. E kemi shumë të vështirë, shumë të vështirë”.

“Këtu rroga e një kuzhinieri mund të ketë shkuar në 1.500 euro dhe lirisht mund të them se është rrogë evropiane dhe ne nuk i kemi mundësitë për t’i përballuar këto rroga. Ndërsa rroga e një kamarieri ka arritur në 600 euro, ku veç saj ai merr edhe bashkishe, e ka ushqimin dhe fjetjen e garantuar, dhe gjithçka tjetër”, thotë Papraniku.

Disa lokale në qytetin e Ohrit.
Disa lokale në qytetin e Ohrit.

Ndërsa Bllazhevski thotë se mungesa e kësaj fuqie punëtore është edhe si pasojë e rënies së interesimit të të rinjve për të studiuar në drejtimet e gastronomisë.

“Për këto probleme po flasim tani një kohë të gjatë, por këtë vit gjendja është shumë më e rëndë. Kemi ikje të shumta të punëtorëve nga sektori i gastronomisë. Në këtë ka ndikuar edhe rënia e madhe e interesimit për të studiuar në shkollat e turizmit. Interesimi ka rënë aq shumë saqë të gjitha drejtimet janë drejt shuarjes”, thotë ai.

Të dy, Bllazhevski dhe Papraniku thonë se situata mund të zbutet me ndihmën e shtetit, qoftë përmes subevncioneve të sigurimeve për punëtorët apo lehtësimit të masave për angazhimin e punëtorëve nga jashtë.

“Në Kroaci, një punëtor i një shteti tjetër brenda një jave pajiset me leje pune dhe me letërnjoftim që më pas të mund të hapë edhe xhirollogarinë bankare, që të mund të marrë pagën dhe të mos ketë asnjë problem”.

“Pra, institucionet duhet të punojnë në këtë drejtim, t'i lehtësojnë procedurat për marrjen e punëtorëve nga vendet tjera dhe të mund të normalizojmë veprimtarinë tonë. Në të kundërtën, do ta kemi shumë të vështirë ta përballojmë sezonin turistik, që besojmë se do të jetë në nivelin e para pandemisë”, thotë Bllazheski.

Sipas të dhënave të mediave në Kroaci, shtetasit e Maqedonisë së Veriut renditen në vendin e katërt sa i përket lejeve të marra për punë sezonale.

Nga rreth 124 mijë leje pune që janë lëshuar, mbi 10 mijë prej tyre janë për shtetas maqedonas, të cilët kryesisht janë të angazhuar në sektorin e gastronomisë.

Punëtorë nga jashtë kërkon edhe Maqedonia e Veriut, kryesisht nga vendet aziatike për shkak të pagave të ulëta që u paguhen atyre.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, ka thënë se Qeveria maqedonase synon të mbajë fuqinë punëtore, por, sipas tij, “importimi i punëtorëve nga jashtë është i pashmangshëm”.

Gjatë vitit 2022 Maqedonia e Veriut ka lëshuar 5.300 leje pune për të huajt, por ajo vlerëson se vendi ka nevojë për të paktën 10 mijë punëtorë në vit.

XS
SM
MD
LG