Ndërlidhjet

OKB e alarmuar me zhvillimet në centralin bërthamor të kontrolluar nga forcat ruse


Zjarri në centralin bërthamor të Zaporizhja pas granatimeve të forcave ruse.

Ukraina e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) se menaxhmenti në centralin bërthamor Zaporizhja është nën urdhrat e komandantit të forcave ruse, që po e kontrollojnë këtë objekt.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, tha se është “jashtëzakonisht i shqetësuar” lidhur me zhvillimet e fundit.

Sipas udhëzimeve të sigurisë së ANEB-it, personeli operativ “duhet të jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tij të sigurisë dhe të ketë kapacitet që të marrë vendime pa presion”.

Grossi tha se situata që Ukraina ka raportuar për centralin në Zaporizhja ishte në “kundërshtim” të këtij udhëzimi, që sipas ANEB-it është një prej “shtatë shtyllave të domosdoshme të sigurisë bërthamore”.

ANEB, që është agjenci e Kombeve të Bashkuara, po ashtu tha se rregullatori bërthamor ukrainas i ka thënë kësaj agjencie se po ka probleme të komunikojë me stafin që operon centralin në Zaporizhja, që bie ndesh po ashtu me një nga shtyllat e kësaj agjencie.

Forcat ruse që gjenden në centralin bërthamor kanë fikur rrjetet për celularët mobilë dhe internetin “në mënyrë që informacioni i besueshëm të mos merret përmes kanaleve normale të komunikimit”, u tha në deklaratën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Komunikimi me telefona mobilë ishte ende i mundur, por me cilësi të dobët, shtoi agjencia.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime që po më raportohen sot”, tha Grossi.

Bordi i ANEB-it u mblodh më 2 mars për të diskutuar çështjet e sigurisë pas situatës në Ukrainë.

Stafi i centraleve bërthamore në Ukrainë "po mbahet peng"
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Dy ditë pas kësaj mbledhjeje, Grossi paralajmëroi se disa prej të ashtuquajturave shtylla të agjencisë që ai udhëheqë, veçse ishin vënë në rrezik, pas zjarrit që shpërtheu si pasojë e granatimeve nga trupat ruse në natën ndërmjet 3 dhe 4 marsit. Gjatë atij sulmi, trupat ruse arritën të marrin kontrollin e këtij centrali, që është më i madhi në Ukrainë dhe Evropë.

“Në mënyrë që centrali të mund të funksionojë në mënyrë të sigurt, menaxhmenti dhe stafi duhet të kryejnë detyrat e tyre vitale në kushte stabile, pa ndërhyrje të jashtme dhe pa presione”, tha Grossi në deklaratën e lëshuar më 6 mars.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG