Ndërlidhjet

Opozita kritikon, Kurti mbron punën e Qeverisë


Kuvendi i Kosovës gjatë një seance. Foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës gjatë një seance. Foto nga arkivi.

Deputetët opozitarë në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë për mospërmbushje të premtimeve derisa kryeministri, Albin Kurti tha se për 100 ditë nuk mund të realizohet premtimet e një mandati 4-vjeçar.

Kuvendi i Kosovës po debaton për punën njëqind ditore të Qeverisë me kerkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është në opozitë.

Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë debatit, përmendi disa nga premtimet, që sipas tij, nuk janë realizuar nga qeveria.

“Premtuat depolitizim të institucioneve. Çka ndodhi në këto 100 ditë? Në këto 100 ditë pamë se si kjo mazhorancë dhe kjo qeveria është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare. Asnjë iniciativë ligjore për Fondin Sovran dhe as Bankën Zhvillimore. Nuk e mbajtët premtimin për shuarjen e AKP-së dhe themelimin e Agjencisë Zhvillimore. Premtuat vetting dhe në këto 100 ditë nuk pamë asgjë, jeni bllokuar në një koncept-dokument”, tha Tahiri.

Deputeti, Armend Zemaj nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se kjo qeveri ka treguar paaftësi në 100 ditëshin e parë.

“Është parë çfarë përkrahje ka pasur shëndetësia nga kjo qeveri, janë ndalur shtesat për mjekët, infermierët, është ndërprerë përkrahja e tyre. Nuk është ligji për paga fare, është ndërtuar një raport përbuzës ndaj punës së tyre. Është theksuar se 500 mijë do të vaksinohen brenda muajit, derisa numri i tyre është ende minimal”, tha Zemaj.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kurti 2 nuk e ka mbajtur premtimin as për ringjalljen ekonomike. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës deri më tani ka miratuar vetëm 4 ligje, prej 190 ligjeve sa është thënë se do të shkojnë në Kuvend.

Ndërsa Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se kjo qeveri ka marrë 144 vendime në tërësi, dhe nëse krahasohet me kohën e njëjtë të qeverive të kaluara është një numër shumë i ulët i vendimeve.

Kurti: Shpëtuam 100 milionë euro për 100 ditë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha deputetëve se zotimet ndaj qytetarëve dhe pritjet e tyre vazhdojnë të jenë udhërrëfyes për punën e qeverisë.

“Zotimet tona për një mandat 4-vjeçar, nuk i kemi realizuar dot për 100 ditë. Gara jonë nuk është me të kaluarën, por me të ardhmen. Do të jemi të pakompromis dhe nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me qëllim të ruajtjes së parasë publike, për 100 ditë anuluam marrëveshje të dëmshme, tenderë dhe memorandume të bashkëpunimit në vlerë 100 milionë euro”, tha Kurti.

Kryeministri tha se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm prej marrjes së qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje. Kurti tha se në 100 ditë, qeveria ka siguruar 1 milion vaksina dhe të gjithë qytetarët tani mund të vaksinohen.

XS
SM
MD
LG